E zeza mbi të bardhë, dokumentet dëshmojnë se ministrat e BDI-së kanë propozuar dhe votuar pika në mbledhjet e Qeverisë, përmes të cilave Bankës Alta nga Beogradi i është mundësuar bashkëpunimi afarist me shtetin. Në vend që të mbronin interesat e qytetarëve, funksionarët e BDI-së kanë hapur dyert për marrëveshje financiare dhe partneritet me një bankë nga Serbia.
Ky është vetëm një tjetër dëshmi që ngre pikëpyetje për bashkëpunimin shumëvjeçar politik dhe afarist të BDI-së me struktura të lidhura me qendrat serbe të pushtetit. Përkundër përpjekjeve që këto informacione të mbahen larg opinionit publik, faktet sot flasin vetë.
T’ua rikujtojmë qytetarëve një sërë rastesh për të cilat kërkohet përgjegjësi:
1. ALTA BANKA – DOKUMENTET FLASIN!
Ministrat e BDI-së në Qeveri kanë propozuar dhe mbështetur vendime që mundësuan bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe Alta Bankës nga Beogradi. Opinioni publik ka të drejtë të dijë se cilat kanë qenë motivet e këtyre vendimeve dhe çfarë interesash kanë qëndruar prapa tyre.
2. DAKA DAVIDOVIQ NË TETOVË!
BDI ishte pjesë e pushtetit që i hapi rrugë projektit të Daka Davidoviqit në Tetovë. Bëhet fjalë për një person i cili më vonë u përfshi në listën e sanksioneve amerikane, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe aktivitete të paligjshme.
3. MTEL – OPERATORI SERB NË MAQEDONI!
Në kohën kur BDI drejtonte institucionet shtetërore, në tregun maqedonas hyri MTEL, pjesë e Telekom Sërbi. Edhe ky është një rast tjetër që ngre pyetje për hapjen e hapësirës ndaj kapitalit shtetëror serb në vend.
4. BALLKANI I HAPUR – PROJEKTI I VUÇIQIT!
Ali Ahmeti ishte ndër përkrahësit më të zëshëm të projektit Ballkani i Hapur, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, projekt të cilin Kosova vazhdimisht e kundërshtonte dhe e konsideronte të dëmshëm për interesat e saj.
5. TENDERI I DËSHTUAR I LOTARISË SHTETËRORE!
Në kohën kur Lotaria Shtetërore drejtohej nga një bashkëpunëtor i afërt i Artan Grubit, tenderi për lojërat e fatit online ishte orientuar drejt kompanive serbe dhe malazeze. Në vend të transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik, qytetarët u përballën me një tjetër kontroversë të lidhur me interesa afariste nga vendet fqinje.
6. TAKIMET ME FUNKSIONARËT SERBË!
Gjatë mandatit të Bujar Osmanit si ministër i Punëve të Jashtme, u realizuan takime të shumta me përfaqësues të institucioneve serbe. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë marrëveshjesh janë arritur dhe çfarë rezultatesh kanë prodhuar këto kontakte.
PYETJA ËSHTË E VETME DHE E QARTË: SA DËSHMI TË TJERA NEVOJITEN QË ALI AHMETI TË MARRË PËRGJEGJËSI?
Nga Alta Banka, te Daka Davidoviqi, MTEL-i, Ballkani i Hapur dhe tenderët e kontestuar, krijohet një pasqyrë e lidhjeve të vazhdueshme politike dhe afariste, të cilat meritojnë një verifikim të thelluar institucional dhe përgjegjësi politike.
Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të BDI-së dhe të tërhiqet nga politika. Ka ardhur koha që të mos e mbajë më peng partinë dhe të ardhmen e saj për interesa të veta politike.
U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të ndershëm të BDI-së, por edhe faktorëve politikë që vazhdojnë të bashkëpunojnë me këtë udhëheqësi, të distancohen nga këto politika dhe praktika.
Askush nuk duhet të bëhet bashkëpjesëmarrës në turpin që po i shkaktohet kauzës politike shqiptare dhe të ardhmes së shtetit.




