12.8 C
Skopje
E enjte, 12 Nëntor, 2026

Shpend Murati hap procesin për hartimin e strategjisë së re për ndërkulturalizmin

Shefi i kabinetit të Ministrisë së marrëdhënieve ndërmjet bashkësive, Shpend Murati, e hapi sot më 12 nëntor, seancën e mbyllur dyditore kushtuar përpilimit të Strategjisë së re kombëtare për ndërkulturalizmin dhe kohezionin shoqëror për periudhën 2027-2032, në të cilën marrin pjesë përfaqësues të Kuvendit, pushtetit ekzekutiv, ministrive, agjencioneve të ndryshme shtetërore, si dhe ekspertë të fushave relevante.

Seanca është pjesë e një procesi më të gjatë e gjithëpërfshirës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, si dhe të zyrës së Komisarit të lartë të OSBE-së.

Pjesëmarrësit diskutuan rrjedhën e procesit, analizuan konstatimet dhe mësimet e nxjerra nga konsultimet e mëparshme, si dhe nga krahasimet me strategjitë e mëhershme dhe dokumenta tjerë strategjikë nga vendi dhe praktika ndërkombëtare.

Ata identifikuan mangësitë, sfidat e kohës, masat për eliminimin e paragjykimeve, ndasive dhe të gjuhës së urrejtjes, ndërsa ofruan zgjidhje më të mira dhe objektiva të arritshme për krijimin e kushteve që do të mundësojnë një shkallë më të lartë të bashkëpunimit ndërmjet bashkësive, qasjes së barabartë, përfaqësimit të drejtë dhe të kohezionit shoqëror.