15.8 C
Skopje
E premte, 20 Nëntor, 2026

Sejdiu: në selinë e BDI-së kanë ndodhur vr*sje, ndërsa Ali Ahmeti ka zhvilluar takime të fshehta me shërbimin sekret rus

Një debat i ashpër politik është zhvilluar në Alsat ndërmjet kryetarit të Komunës së Zhelinës dhe përfaqësuesit të VLEN-it, Blerim Sejdiu, dhe përfaqësuesit të BDI-së, Bajram Rexhepi. Përplasja u përqendrua te akuzat për kontakte me shërbime të huaja sekrete, rastet e pazbardhura të së kaluarës dhe përgjegjësia politike për ngjarjet e ndodhura gjatë qeverisjes së BDI-së, përcjell Nistori.

Debati mori një kthesë të fortë kur Rexhepi përmendi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, duke pretenduar se një vizitë e tij private në Beograd ishte evidentuar në protokollin e shtetit serb.

Sejdiu e kundërshtoi këtë pretendim, ndërsa hodhi akuza ndaj drejtuesve të BDI-së për takime të fshehta me përfaqësues të shërbimeve sekrete të huaja.

“Nëse flas unë për gjërat që i di, për takimet fshehtas të liderit tuaj me eksponentë të shërbimit sekret rus”, deklaroi Sejdiu, duke pretenduar se posedon informacione për kontakte të tilla.

Rexhepi i kundërshtoi menjëherë këto deklarata, duke i cilësuar të pavërteta. Gjatë debatit nuk u paraqitën prova që do t’i vërtetonin pretendimet për lidhje me shërbimin sekret rus.

Sejdiu premton hapjen e rasteve të pazgjidhura gjatës qeverisjes së BDI-së

Një tjetër pikë përplasjeje ishte trajtimi i rasteve të pazgjidhura nga periudha kur BDI ishte pjesë e pushtetit.

Sejdiu deklaroi se VLEN-i ka marrë përsipër të trajtojë të gjitha rastet që, sipas tij, janë lënë të hapura gjatë qeverisjes së mëparshme.

“Ne jemi zotuar se çdo rast që është hapur në kohën e BDI-së dhe që këta i lanë hapur dhe nuk i zgjidhën, ne do t’i zgjidhim të gjitha një nga një”, deklaroi ai.

I pyetur se kur do të realizohej ky zotim, Sejdiu nuk dha një afat konkret, por këmbënguli se deklaratat e tij përbëjnë një përgjegjësi politike.

“Unë e them me përgjegjësi këtë. Unë këtu nuk jam përfaqësues i vetvetes. Përgjegjësi do të kemi. Të gjitha rastet do t’i hapim një nga një”, u shpreh Sejdiu.

“Shqiptarët vriteshin e rriheshin, ndërsa BDI heshtte”

Në pjesën tjetër të debatit, Sejdiu ashpërsoi retorikën ndaj BDI-së, duke e akuzuar këtë parti për mungesë reagimi ndaj dhunës dhe vrasjeve të shqiptarëve gjatë kohës kur ishte në pushtet.

“Në momentet kur këta kanë qenë në pushtet, para syve të këtyre, shqiptarët edhe vriteshin, edhe rriheshin, edhe asnjë deklaratë nga eksponentët e BDI-së nuk doli. Asnjëri! Asnjëri, asnjëherë!”, deklaroi Sejdiu.

Ai përmendi edhe vrasjen e njohur si rasti i Komandant Shqiponjës, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në selinë e BDI-së.

“Ka pasur, more, vrasje. Në selinë e këtyre ka pasur vrasje. Komandant Shqiponja u vra te këta”, tha Sejdiu.

Këto deklarata u përdorën nga përfaqësuesi i VLEN-it për të kundërshtuar kritikat e BDI-së ndaj pushtetit aktual dhe për të ngritur çështjen e përgjegjësisë politike për ngjarjet e së kaluarës.

Përplasja nxori në pah akuzat e ndërsjella ndërmjet dy subjekteve politike shqiptare, por edhe një çështje thelbësore që mbetet pa përgjigje konkrete: kur dhe përmes cilëve mekanizma institucionalë do të trajtohen rastet e pazgjidhura për të cilat VLEN-i ka marrë zotim publik! /Nistori/