Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, në seancën e sotme mbikëqyrëse në Kuvend, theksoi se procedura lidhur me kërkesën e „ALTA BANKA AD Beograd“ për marrjen në pronësi të „Stopanska Banka SHA Manastir“ është zhvilluar sipas procedurës së rregullt ligjore, pa asnjë përjashtim apo improvizim.
Sipas kronologjisë së prezantuar, pas dorëzimit të njoftimit për qëllimin dhe marrjes së pëlqimit paraprak nga Banka Popullore, blerësi dorëzoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe depozitoi mbi 1.4 miliardë denarë (1.403.299.026 denarë) në një llogari të veçantë në CDHV. Pasi u konstatua përputhshmëri e plotë me Ligjin për Marrjen e Shoqërive Aksionare, Komisioni i Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitalit, më 10 shtator të vitit 2025, njëzëri miratoi vendimin për dhënien e lejes për ofertën e marrjes në pronësi.
Abazi theksoi se kriteret dhe afatet ligjore janë të njëjta për të gjitha subjektet, njësoj si në procedurat e mëparshme, duke paralajmëruar se krijimi i sensacionalizmit artificial dhe manipulimi politik rreth proceseve të rregullta rregullatore dëmtojnë besimin në sistemin financiar dhe janë në kundërshtim me parimet e Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë.
Bujare Abazi theksoi edhe një herë se Komisioni nuk është organ kompetent që vendos se cila bankë dhe nga cili shtet mund të bëhet pronare e një institucioni financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.




