9.8 C
Skopje
E premte, 22 Nëntor, 2024

A na do Evropa me të vërtetë, apo i’a bëjmë qejfin vetes?

Shkruan Nermine Hamidi

Në shkalloren e ndryshimeve të lëvizjeve të ndryshme politike në vend, aktualitet i stërbiseduar është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Meqë të gjithë jemi informuar nga mediat e ndryshme për lëvizjet e tilla, nuk do të kthehemi shumë mbrapa zhvillimeve, e që të mos përsëritemi, fjalës së shkruar t’ia japim fokusin ‘’përgatitjes de jure dhe de facto’’ të vendit ku po banojmë në rrugën e gjatë për anëtarësim në BE!

Edhe pse realiteti i zymtë po e shuan edhe zërin kritik të popullit, dikuj i përshtatet e dikuj jo, përsëri nuk duhet heshtur sepse ai/ajo që hesht është po aq fajtor sa ai/ajo që bën gabimin!

Se sa jemi të dashur për BE-në në situatat aktuale të vendit, mendoj se, jo vetëm nga perspektiva rinore por edhe e të gjithë moshave e ndjejnë pasigurinë e madhe për këtë rrugëtim nga që reformat që i presim ca kohë me radhë, nuk janë prioritet e ndoshta as çështje sekondare për politikbërjen aktuale.

Reformat që duhet bërë por që po nuk po bëhen ndoshta as me ‘’hapat e breshkës’’ janë gjyqësori, prokuroria, arsimi, ekonomia, etj. Këto që i numëruam janë fakte dhe argumente të viteve të kaluara dhe të tashmes ku dëshira për të sjellë reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi, sistemet politike, është jashtzakonisht dëshirë e zbehur, e paktë, e pamjaftueshme. Dhe jo, nuk do të ndalemi vetëm tek dëshira! Por tek mundësitë dhe tek obligimet që i kanë të gjithë ata që gëzojnë kolltuqet qeveritare dhe kontributi i tyre ka qenë me rezultate të dobëta dhe krahas kësaj, askush deri sot nuk mori përgjegjësi, nuk dha dorëheqje dhe nuk u zëvendësua me atë që e meriton atë pozitë udhëheqëse!

Pra, problemi kryesor po filloka tek ne nga mungesa e vlerave të demokracisë, ashtu siç në vendet e disiplinuara evropiane, që moti kohë dikush do të jipte llogari për mos kryerjen e detyrimeve dhe do të jepte dorëheqje!

Se çfarë arsimi kemi ne, mjafton një ditë të kaloni kohë pranë shkollave fillore, të mesme dhe universiteteve tona shtetërore dhe private, ku nga mungesa e edukatës, mungesa e librave, mungesa e profesionalizmit, mungesa e kushteve elementare, partizimi i institucioneve arsimore, është vërtetues i listës së rangimit të cilësisë së arsimit tek ne, ku jemi në nivelet më të ulëta sa i përket cilësisë!

Nga kjo rrjedhin problematikat bazë, ndër to edhe nga diplomat që mer kush do dhe si do, nuk ka aspak meritokraci e me këtë kemi rezultuar në mësimdhënës jo adekuat, mjek jo profesional, politikan pa vizion, gjyqtarë të korruptuar dhe prokurorë të padrejtë.

Kush mund ta dojë një shtet që themelet e tij i ka ndërtuar nga ‘’arkitektë të dështuar’’?

Po, ia bëjmë qejfin vetes e bile duke ia bërë qejfin vetes, aq shumë kemi filluar ti besojmë iluzioneve saqë tani më e shfaqim si bindje para të tjerëve se po, ne jemi mirë, ne jemi të sukseshëm, ne po punojmë, ne po ndërtojmë ardhmërinë, ne po përmirësojmë kushtet, etj!

Të njejtat rrugë që i kalojnë qytetarët të njejtat i kalojnë edhe qeveritarët!
Mjerimin që e shoh unë, e shohin edhe ata/ato! Frikën që e ndjen dikush nga mos besimi në institucionet e larta të drejtësisë, ata e din më mirë nga rastet e montuara politike! Dëshpërimin që e ndjejmë si të rinj ku ‘’nuk ka investime të mjaftueshme kapitale’’ për ndërtimin e një biblioteke dhe leximore, por ka buxhete të keqpërdorura, e din edhe ata sepse ne së paku 10 vite kemi kërkuar dhe kemi ngritur zërin ku premtimet boshe ishin përgjigjet e tyre!

Rënien e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë përpos fajtorëve subjektiv nga një shtëpi, e shohin, edhe atë kanë kontribuar vite me radhë për ta shkatërruar të njejtën!
Nuk do shumë mençuri se tek ne derisa ‘’rritet paga minimale dhe mesatare’’ inflacioni e bën të pamundur që populli të mbijetojë muajin me harxhimet dhe kostot e larta të shpenzimeve dhe shërbimeve!

Dhe po, BE deri sot nuk e ka lëvdëruar një vend që nuk i shfrytëzon resurset e saja, nuk ka arsim cilësor dhe nuk ka gjyqësor të pastër dhe të drejtë, pa ndërhyrë korupsioni dhe vjedhja gjithandej!

Rruga për në BE është një garë, e ne për atë garë ende as në vijën e fillimit të garës nuk kemi arritur sepse përgatitjet që duhet bërë për të hyrë në garë, nuk ka pasur as trajnues profesional e as garues potencial.

Rruga për në BE është e vështirë e gjatë por jo e pamundur, e derisa të rinjtë e këtij shteti nisen në rrugë të gjata për të mos u kthyer në vendlindje më, le të reflektojnë me shumë mundësi që kanë para vete politikanët por që shumë pak punojnë!

Rruga për në BE, le të mos jetë vetëm pjesë e fjalimeve të kandidatëve për deputet derisa të arijnë aty e pastaj as në vepra e as në foltore, as në pazarllëqet partiake e politike nuk ngrisin zërin për çështjet e shtruara për në BE!

Në fund, le të vetëdijësohemi dhe le ta pranojmë se në kulaçin e fajit bëjmë pjesë të gjithë ne nga pak! Nuk mundet duke e ecur rrugën e njejtë, të presësh rezultate të ndryshme, dhe se dashuria ndaj atdheut më së miri tregohet kur kontribuojmë në vepra për të! Pozitën jepja atij që se kërkon por që e meriton, e si popull kontribo e mos prit gati gjithçka nga të tjerët!

Të ngjajshme

Të fundit