8.8 C
Skopje
E martë, 14 Prill, 2026

PDK: Me emërimin e Gërvallës, RTK u bë megafon i Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar po ashtu pas emërimit të Rilind Gërvallës në postin e drejtorit të Televizionit në Radiotelevizionin e Kosovës.

Sipas PDK-së, emërimi i militantit të LVV-së në këtë pozitë është një nga shumë kapjet institucionale të pavarura nga Kurti me presidenten Osmani.

“Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik”, thuhet në reagimin publik të PDK-së.

Me emërimin e tij, RTK nuk do të jetë më në shërbim të publikut, “por do të përdoret si megafon i Kurtit dhe Vetëvendosjes, ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak”.

Kjo parti këtë konsideron se me kapjen e RTK-së, pushteti synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila kanë frikë më së shumti.

“Rilind Gërvalla, drejtor i sapoemëruar nga tetë anëtarët e Bordit të RTK-së, është militant i Vetëvendosjes tash e 15 vite, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha organizimet partiake”, thuhet në deklaratë.

PDK gjithashtu konsideron se kapja e RTK-së është një hap tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

LDK kërkon anulimin e menjëhershëm të zgjedhjes së drejtorit të Televizionit në RTK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar për procesin e zgjedhjes së drejtorit të kanaleve televizive në Radiotelevizionin e Kosovës.

LDK për zgjedhjen e një aktivisti politik në pozitë drejtuese në RTK e konsideron kapje të plotë të këtij institucioni.

“Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në deklaratën për media të LDK-së.

Meqenëse, sipas LDK-së, informimi i pavarur publik i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme.

“RTK duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Për këtë arsye, kjo parti kërkon “anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Të ngjajshme

Të fundit