-3.2 C
Skopje
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ismail Kadare: Enigma e miqësisë sime me Dritëro Agollin

Një intervistë me Ismail Kadaren e bërë nga gazetarët për të shfaqur miqësinë që ai kishte me gjeniun tjetër të letrave, Dritëro Agollin.

S. C. – Ju lini të kuptohet se nuk mbani mëri për Agollin. Dukeni se përmbaheni nga një lidhje e vjetër dhe misterioze mes jush. Si arritët të kapërcenit ndjesinë e tradhtisë dhe të neverisë? A mendoni se, në njëfarë mënyre, Agolli ka vepruar nën shtrëngim? A mendoni se, përfundimisht, për arsye të ndryshme, ju mundët t’i rezistonit presionit, kurse ai nuk mundi? Më duhet të them se e kam shumë të vështirë për ta kuptuar.

Në qoftë se një miqësi e kaluar tepër e thellë, mund të quhet një lidhje (lien) e fshehtë e vjetër, atëherë raportet e mia me Dritëro Agollin, mund të emërtohen pikërisht lidhje (lien) e vjetër e fshehtë. Ajo që ka ndodhur më pas midis nesh, kur ai u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, për shumë njerëz ka qenë e pakuptueshme, pikërisht ngaqë ata nuk kanë ditur një enigmë të kësaj miqësie.

Ne kemi qenë miq të ngushtë për gati 15 vjet. Pas liceut kemi shkuar të dy për studime në Rusi, ai në Leningrad, unë në Moskë. Pas kthimit andej miqësia jonë u forcua me një element të ri, një element tepër thelbësor nën një diktaturë: pikëpamjet e njëjta politike. Ne ishim të dy kundër regjimit komunist dhe haptas flisnim kundër tij. Kjo ka qenë enigma.

Kjo vazhdoi deri pas vitit 1968, kur ai u shenjua për karrierë politike. Ai u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më pas anëtar i Komitetit Qendror të partisë. Është e kuptueshme që e folura jonë kundër regjimit u zbeh, gjersa u pre krejtësisht. Ajo mbeti kështu e fshehta jonë e përbashkët.

Kur ai lexonte kritikat e tij të tmerrshme kundër meje, askush nuk mund ta merrte me mend se ato “mendime makabre” kundër zyrtarëve me duar të përgjakura, talljet kundër socializmit, Stalinit madje Enver Hoxhës, i kishim bërë bashkë, ca kohë më parë. Dëshira për t’u ngritur në mes të mbledhjes e për t’i thënë: mik i dashur, ti bën analiza të sakta kundër meje dhe veprës sime, ngaqë ke patur të njëjtën mendje si unë, ishte tepër tunduese gjatë këtyre seancave mizore. Natyrisht, asnjëherë s’e mendova ta bëja këtë, sepse do të ishte fatale për të dy. Por, nga ana tjetër, midis asaj gjendjeje surealiste, kur dikush që kishte qenë alter ego-ja ime, më akuzonte, ndihesha jo vetëm i trishtuar, por përjetoja një ndjesi të çuditshme sipëranie dhe sigurie. Kjo vinte, me sa dukej, nga ideja se njeriu që tundte fshikullin kundër meje, në fund të fundit, ishte po aq sa unë kundërshtar i shtetit.

Për një çerek shekulli nën diktaturë kjo mbeti e fshehta jonë e përbashkët. Më e çuditshmja ishte se ajo vazhdoi të mbetej e fshehtë edhe pas rënies së regjimit. Agolli vazhdoi të mbetej emblema e së majtës shqiptare, një nga liderët e partisë socialiste të reformuar. Ai gëzonte gjithmonë statusin e shkrimtarit tepër të shquar, madje fakti që ishte gjithmonë me të majtën, i quhej meritë karakteri. Ai kishte përfunduar kështu me dy biografi: njërën publike, që ia dinin të gjithë, e tjetrën të fshehtë, që së paku ia dija vetëm unë.

Në verën e vitit 2005, rasti e solli që unë t’i propozoja publikisht, gjatë një interviste, biografinë e tij të fshehtë, atë që i bënte nder atij. Pyetjes së një gazetari se ç’mendoja për opinionin e përhapur, se pavarësisht se pozicionimi politik i Agollit (besnikëria ndaj socializmit), i cili ndryshe nga ai i Kadaresë, quhej i gabuar, atij nuk mund t’i mohohej merita e vijimësisë. Kësaj pyetjeje iu përgjigja se kjo nuk është e vërtetë, dhe se në qoftë se, midis ne të dyve, njëri kishte ndërruar bindje politike, e tjetri kishte mbetur besnik i bindjeve të vjetra, ndërruesi ishte ai e besniku isha unë.

Deklarata mund të tingëllonte si vetëmburrje, por shtjellimi ishte tronditës për të gjithë. Unë tregova se për 15 vite rresht, Dritëro Agolli dhe unë kishim patur mendime të njëjta kundër regjimit komunist. Unë shtoja se ai mund ta mohonte sot këtë, por ky mohim do të ishte mohimi i pjesës më të bukur të jetës së tij.

Isha shumë kureshtar të dija se cila do të ishte zgjedhja e tij. Pas dy ditëve, në një intervistë që mund të quhej mallëngjyese, ai pranoi gjithçka që unë dëshmoja, madje shkonte më tej, në rikujtimet e kaluara. Merrej me mend zhgënjimi i ish-militantistëve komunistë. Nga ana tjetër, adhuruesit e tij, që nuk janë të paktë, jam i sigurt se janë çliruar nga bezdia që krijonte biografia e tij zyrtare. Gjithsesi mendoj se kjo dalje e së vërtetës, nga njëra anë ishte diçka emancipuese për botën shqiptare, nga ana tjetër, e ka çliruar atë me siguri nga një ngërç i vjetër.

Ndoshta e gjitha kjo për ju dhe për lexuesin perëndimor, ngjan tejet e pakapshme. Por kjo ka qenë kështu. Duke e shpjeguar, unë nuk marr për-sipër as ta mbroj, as ta përligj, e as ta damkos. Fola gjatë për Agollin, jo vetëm se ai është i pranishëm gjerësisht në këtë libër dokumentesh, por kryesorja sepse ai do të mbetet gjithmonë në letërsinë shqipe si një ndër shkrimtarët kryesorë të saj.

Si episod mbyllës në këtë shënim, po ju tregoj fjalët e tij, thënë sime shoqeje, në një gjendje disi depresive, pikërisht në atë kohë të egër: “Helena, një gjë duhet të mos e harrosh kurrë, asnjeri në botë nuk e ka dashur I. K. sa unë”.

Kur ime shoqe m’i përsëriti ato fjalë, unë aty për aty i besova.

S. C. – Nëse i keni besuar, unë ju besoj gjithashtu. Por, në të njëjtën kohë, konstatoj dhunën e asaj çfarë shkroi, në të njëjtën periudhë, kundër jush, dhe që mund ta lexojmë në dokumentet e “Dosjes Kadare”. Atëherë, së fundi, çfarë mendoni se besonte në të vërtetë Agolli?

Pyetja juaj është e vështirë. Së pari, është e nevojshme që të kuptoni se lidhja jonë është ajo mes dy shkrimtarësh. Në radhë të parë, ne ishim shkrimtarë, domethënë pjesëtarë të së njëjtës familje. Agolli kishte talent të njohur dhe të vlerësuar nga të gjithë, përfshirë këtu dhe mua.

Edhe ai spiunohej dhe kërcënohej prej diktaturës. Ai, gjithashtu, ka pasur disa vepra të ndaluara. Ishim në të njëjtin burg, gjë që krijon një lidhje të vërtetë.

Por, për fat të keq, Agolli, më shumë se unë, ishte i tërhequr nga karriera. Ndoshta, gjithashtu, ata ia dolën të ndiznin tek ai një ndjenjë shemrimi.

Kjo lidhje pa dyshim që është zhvilluar në nivele të ndryshme: përzemërsia, respekti, një rivalitet i ngjallur dhe i ushqyer prej regjimit dhe dëshirës për karrierë. Të gjitha këto nivele vazhduan gjatë gjithë kësaj historie.

S. C. – Po sot, cila është përfundimisht marrëdhënia juaj me Agollin?

Që prej kësaj interviste të fundit, nuk kam pasur më kontakt ose shkëmbim me të. Por, për t’iu përgjigjur më saktësisht, do t’ju them këtë: gjithmonë kam pasur dhe kam ende dy peshore, për njerëzit që kanë talent dhe për ata që nuk kanë.

Ndoshta është e padrejtë, ndoshta kjo është e kushtëzuar prej statusit tim prej artisti, por kështu është. Nëse Agolli do të ishte një shkrimtar mediokër, do t’ju flisja ndryshe për të. Por Agolli ka talent. Pra, në një mënyrë a në një tjetër, ai është i familjes dhe do të flas ndryshe për të.

Talenti i vërtetë, në mënyrë të natyrshme, krijon një lloj përparësie. Edhe kur gabon, është ajo prirja për ta minimizuar. Sepse mendon instinktivisht se ka diçka “minimizuese”, diçka që, ndoshta, nuk e dini akoma, diçka që, fundi i fundit, keni qejf ta imagjinoni si misterioze. Isha i bindur se, pas sulmeve kundër meje, atë e brente ndërgjegjja. Shpesh, ai nuk e fshihte këtë gjë.

Përveç kësaj, siç thashë, kur ishim miq, ishim të tillë me të vërtetë. Ne kemi pasur një fat të përbashkët. Në vitin 1965, për shembull, kur romani “Përbindëshi” u ndalua, libri i tij më i mirë, “Zhurma e erërave të dikurshme”, u ndalua gjithashtu.

I tillë ishte vizioni im për botën. “Hamleti”, mes pikëpyetjeve që nuk resht së ngjalluri, ngre gjithmonë këtë pyetje: pse fantazma u pa prej disave dhe jo prej të tjerëve? Në botën komuniste këto lloj gjërash ndodhnin shpesh. Për më tepër, ndodhte shpesh të mos ishte e lehtë të dalloje njeriun prej fantazmës. /exlibris/

Të ngjajshme

Të fundit