Nga: George Orwell (pjesë nga libri Ese, ShB Armagedoni, 2022)
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela
Kur shqyrton njoftimet publike të qeverisë, dokumentet e politikave zyrtare, artikujt kryesorë në gazeta, fjalimet dhe paraqitjet televizive ose radiofonike të politikanëve, programet dhe manifestet e çdo partie politike, gjëja që gati gjithmonë të bën përshtypje është largësia e gjuhës së tyre nga njeriu mesatar. Nuk po themi se thjesht bëjnë fjalë për njohuri që njeriu i zakonshëm nuk i zotëron, në raste të tilla kjo është e pashmangshme dhe e nevojshme. Çështja është se gjuha e qartë, popullore, e përditshme, është më se e dukshme që shmanget në mënyrë të vetvetishme. Zhargoni pa gjak i zëdhënësve të qeverisë (me frazat tipike: në kohën e duhur, nuk lë gur pa lëvizur, shfrytëzoj rastin më të parë, përgjigjja është pozitive) është kaq e njohur sa s’mund të mos ndalesh për t’u marrë me të. Kryeartikujt e gazetave shkruhen ose me të njëjtin zhargon, ose me stil të fryrë, bombastik, me prirjen për t’iu rikthyer fjalëve arkaike (rrezik, trimëri, fuqi, armik, solidar, hakmarrje, poshtërsisht, ledh, mburojë, bastion) të cilat asnjë njeri i zakonshëm s’do t’i çonte kurrë ndërmend t’i përdorë.
Partitë politike të krahut të majtë vetëm specializohen në përdorimin e një fjalori bastard të përbërë nga fraza ruse dhe gjermane të përkthyera në mënyrën më të panatyrshme të mundshme. Madje edhe posterët, traktet dhe paraqitjet publike televizive dhe radiofonike që synojnë të japin direktiva, t’u tregojnë njerëzve se çfarë të bëjnë në rrethana të caktuara, shpesh dështojnë të krijojnë efektin e synuar. Për shembull, gjatë sulmeve të para ajrore në Londër, u konstatua se një numër i madh njerëzish s’e dinin se cila sirenë do të thoshte “Kushtrim” dhe cila “S’ka rrezik”. Kjo ndodhi muaj apo vite pasi kishin parë posterët e Masave Paraprake ndaj Sulmit Ajror (M.P.S.A). Këta posterë e përshkruanin Kushtrim si një “cicërimë”: një frazë që s’bëri përshtypje, pasi sirenat e sulmit ajror nuk cicërojnë dhe pak njerëz i japin fjalës ndonjë kuptim të përcaktuar.
Kur sër Riçard Eklënd, në muajt e parë të luftës po hartonte një manifest që do t’i paraqitej qeverisë, ai angazhoi një ekip Vëzhguesish të Masës për të gjetur se çfarë kuptimi, nëse ka, njeriu i zakonshëm u jep fjalëve abstrakte që tingëllojnë bombastike, që hidhen andej-këtej në politikë. Dolën në dritë keqkuptimet më fantastike. U mor vesh, për shembull, se shumica e njerëzve nuk e dinë se “imoraliteti” ka kuptim tjetër përveç atij të imoralitetit seksual. Një burrë mendonte se “lëvizja” kishte të bënte me të qenët kaps. Dhe ndodh në çdo pijetore gjatë natës kur fjalimet që jepen në televizione apo edhe buletinet e lajmeve nuk i bëjnë asnjë përshtypje shikuesit dhe dëgjuesit mesatar, sepse ato shqiptohen në një gjuhë të ndrydhur librash dhe, për më tepër, me theks të shtresës së lartë. Një herë në portin e Dunkirk-ut vëzhgova një skuadër marinarësh që hanin bukë me djathë në një pijetore, ndërsa nisën lajmet e orës një. Nuk morën vesh asgjë: thjesht vazhduan të hanin pa asnjë lloj reagimi. Pastaj, vetëm për një çast, duke raportuar fjalët e një ushtari që ishte qëlluar nga një anije luftimi dhe ishte rrëzuar mbi kuvertë, folësi kaloi në anglishten e folur, me frazën: “Epo, ky zanat do usta!”. Menjëherë mund të shihje veshët që u tendosën: ishte gjuhë e zakonshme, dhe kështu u përhap prej tyre. Pak javë më vonë, një ditë pasi Italia hyri në luftë, Def Kuper[1] njoftoi se akti i nxituar i Musolinit “do t’i shtonte rrënojat për të cilat Italia është e famshme”.
Ishte thënie më se e saktë, një profeci e vërtetë, por sa përshtypje bën kjo lloj gjuhe te në