20.8 C
Skopje
E enjte, 19 Shtator, 2024

PARTIZIMI NË ADMINISTRATËN PUBLIKE

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe i tërë Ballkani Perëndimor janë në një fazë të përpjekies së lehtësimit të rrugëtimin drejt integrimit europian, por ky rrugëtim për çdo ditë ua bën me dije se duhet modifikuar dhe përmirësuar shumë çështje brendashtetërore në mënyrë që të mos pengohet deri në arritjen e cakut, e që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.

Një ndër dështimet dhe pengesat që do ta veçoja gjatë këtij rrugëtimi është partizimi në administratën publike bashkë me korrupsionin. Duhet kuptuar se partizimi i tillë është fajtori kryesor për degradimin e arsimit, shëndetësisë dhe drejtësisë.

Ndërhyrja politike në çdo sferë dhe sektor duhet të shkurtohet në mënyrë drastike dhe të dihet saktësisht se ku përfundon politika dhe funksionet politike. Partitë politike duhet të udhëheqin politika, e jo të punësojnë dhe emërojnë votuesit ose militantët e tyre si drejtorë të kompanive dhe agjencive publike, udhëheqës sektorësh dhe zyrtarë të lartë publik nëpër resorë të ndryshëm duke mos i plotësuar kriteret e punësimit. Të rinjtë duhet të kenë mundësi të barabarta, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike apo qofshin edhe të paantarësuar në parti. Nga punësimi i nivelit fillestar, deri te pozicionet drejtuese në sektorin publik, kriter duhet të jenë aftësia dhe njohuritë, njerëz të aftë të përzgjedhur përmes konkurrencës publike nga njerëz të pavarur nga politika.

Sistemi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, e jo aplikimet të bëhen formalisht, ndërsa përzgjedhjet të jenë sipas përkatësisë partiake.

Nëse një parti politike që do të vendosë një sistem në Maqedoninë e Veriut, madje edhe në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor, ku të aftët do të shkojnë përpara dhe gjykatat do të gjykojnë sipas Kushtetutës dhe ligjit, atëherë mund të kërkojë nga populli që ta votojnë dhe t’i japin shansin e qeverisjes, përndryshe gjithçka mund të jetë e kotë dhe pa perspektivë të duhur.

Konventat për të drejtat e njeriut, ligjet dhe Kodi i Etikës janë shkelur në mënyrë flagrante sa i përket kësaj pike të tanguar të një shteti që dëshiron t’i bashkangjitet familjes europiane. Organizata të ndryshme joqeveritare, madje edhe vetë qytetarët kanë reaguar kundër politizimit të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Kur politika vendosi të uzurpojë bordet profesionale të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura, ajo kishte vënë hapat e parë për të garantuar se çdo punësim do të bëhej mbi baza partiake dhe aspak duke i përfillur kriteret e punësimit.

Rastet e tanishme paraqesin pasojat e një sistemi që ka partizuar secilin institucion dhe bord të ndërmarrjeve publike. Punësimet masive të të afërmve të politikanëve dhe partive politike në pushtet paraqesin shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Të gjithë pjesëmarrësit në konkurse  publike janë viktima të një shkeljeje të hapur dhe një diskriminimi sistematik që paraqet arbitraritet institucional ndaj të drejtave të tyre.

Gjendja e tillë ka bërë që të rinjtë ta braktisin vendlindjen e tyre dhe të marrin rrugët e Europës duke kërkuar fatin e tyre me shpresë të përmirësimit të mirëqenies financiare, pasi mundësia e produktivitetit dhe zhvillimit profesional në vendin e tyre gati se është zbehur dhe kjo është fatkeqësi në nivel shtetëror.

Andaj, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet përpjekur për të ruajtur sado pak kredibilitetin që mund t’ju ketë mbetur dhe të ndrgshojnë mënyrën e punësimit dhe vlerësimit të të rinjve në mënyrë që mos t’ju zbrazet shteti dhe të dështojmë si shoqëri.

Të ngjajshme

Të fundit