26.4 C
Skopje
E premte, 7 Gusht, 2026

A është Bujar Osmani mjeku që do ta shërojë Çairin, apo diplomati që do ta përdorë atë për karrierë?

Bujar Osmani, një prej figurave më të njohura të BDI-së, vjen si kandidat për Komunën e Çairit me një bagazh të pazakontë për një kryetar komun. Mjek me profesion, politikan me karrierë të gjatë dhe diplomat i profilit ndërkombëtar. I lindur dhe i rritur në lagjen Seravë të Çairit, Osmani i njeh rrugicat, lagjet dhe sfidat sociale të këtij territori që nga fëmijëria e tij, shkruan POPULLI.mk

Si ministër i Shëndetësisë në të kaluarën dhe si ministër i Jashtëm në qeveritë e fundit, ai ka fituar përvojë menaxheriale dhe ndërkombëtare që, në teori, mund të ishin të dobishme për një komunë si Çairi, e cila përballet me probleme të rënda të urbanizmit, mjedisit dhe infrastrukturës sociale.

Megjithatë, mbi Osmanin rëndojnë edhe kritikat. Si kryesues i OSBE-së, ai u përball me reagime të ashpra ndërkombëtare dhe vendore, sidomos pas vendimit për ta pritur ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Shkup, në kohën kur shumica e shteteve europiane i kishin vënë ‘veto’ për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ky vendim u cilësua nga kritikët si diplomaci e dështuar dhe si një akt që e vendosi Maqedoninë e Veriut në pozita të pakëndshme gjeopolitike.

Sot, pyetja kryesore mbetet “Sa është i përshtatshëm Bujar Osmani për ta marrë timonin e Çairit?” A do të mundet ai ta përdorë përvojën si diplomat për ta tërhequr investime dhe projekte për komunën? Apo do të mbetet një tjetër figurë politike, që përdor Çairin si bazë elektorale dhe jo si mision zhvillimi?

Në njërën anë, përvoja e tij si negociator dhe ministër mund të ndihmojë në marrëdhëniet me donatorë ndërkombëtarë, agjenci zhvillimore dhe qeverinë qendrore. Por, në anën tjetër, qytetarët pyesin nëse një politikan i profilit të tij, i angazhuar në diplomaci dhe politikë të madhe, mund të zbresë realisht në problemet konkrete të Çairit, plehrat, kaosi urbanistik, bllokimet në komunikacion, mungesën e hapësirave publike dhe varfërinë sociale.

Osmani është nënkryetar i BDI-së dhe kandidat që bart vulën e një partie të madhe, por njëkohësisht edhe kritikat ndaj saj. Nëse do të arrijë t’i tejkalojë këto sfida dhe t’i bindë qytetarët se ky është një mision për ndryshim real, mbetet për t’u parë.

A është Bujar Osmani mjeku që do ta shërojë Çairin, apo diplomati që do ta përdorë atë për karrierë? Përgjigjen do ta japin qytetarët në zgjedhjet lokale që po afrohen. / © POPULLI.mk