Një analizë krahasimore rajonale
Në Maqedoninë e Veriut, ndonëse numri i përgjithshëm i universiteteve relativisht nuk është i kufizuar, sistemi i arsimit të lartë karakterizohet nga fragmentim institucional, veçanërisht në sektorin publik. Aktualisht funksionojnë gjashtë universitete publike dhe një me status privat-publik si dhe dymbëdhjetë institucione private të arsimit të lartë.
Në këtë kontekst, ideja e Ministreshës për zvogëlimin e numrit të universiteteve mbështetet në argumentin e racionalizimit të sistemit, me synim konsolidimin e burimeve njerëzore dhe financiare, rritjen e cilësisë akademike dhe përmirësimin e performancës kërkimore. Megjithatë, në diskursin publik shtrohet dilema nëse kjo qasje lidhet realisht me numrin e përgjithshëm të universiteteve si problem strukturor, apo në mënyrë implicite me numrin e universiteteve që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe.
Kjo dilemë e bën të domosdoshëm një debat të mbështetur në indikatorë objektivë të cilësisë, performancës dhe efikasitetit institucional, në mënyrë që reformat e propozuara të perceptohen si funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Një analizë krahasuese rajonale mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës nxjerr në pah se Maqedonia e Veriut paraqitet si një sistem me qasje më të përmbajtur ndaj zgjerimit sasior, por me sfida të brendshme strukturore, ndërsa Kosova dhe Shqipëria karakterizohen nga ekspansion institucional më i theksuar, kryesisht i mbështetur në sektorin privat.
Këto modele të ndryshme ngrenë çështje thelbësore mbi efikasitetin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të arsimit të lartë në rajon. Krahasimi i numrit të universiteteve në Maqedoninë e Veriut (18), Shqipëri (39) dhe Kosovë (41) evidenton dallime të rëndësishme në strukturën dhe politikat e zhvillimit të arsimit të lartë. Ndërsa vendet fqinje kanë zgjeruar sistemet e tyre në mënyrë sasiore, Maqedonia e Veriut ka ndjekur një qasje më të përmbajtur, por me probleme të theksuara të fragmentimit institucional. Nëse analizojm numrin e universiteteve për kokë banori Kosova, me një popullsi pothuajse të barabartë me Maqedoninë e Veriut, rreth 1.8 milion banorë, operon me 41 institucione të arsimit të lartë, që është më shumë se dyfishi i numrit të universiteteve në Maqedoninë e Veriut.
Ngjashëm, Shqipëria, me një popullsi vetëm rreth 30 për qind më të madhe, ka mbi dyfishin e institucioneve të arsimit të lartë. Nëse analizohet raporti universitet-popullsi, del në pah një tregues veçanërisht domethënës: në Kosovë ekziston një universitet për çdo 44 mijë banorë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut një universitet për çdo 100 mijë banorë. Kjo tregon se qytetari i Maqedonisë së Veriut ka dy herë më pak zgjedhje dhe qasje institucionale krahasuar me qytetarin e Kosovës. Këto shifra dëshmojnë se sistemi i arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut është tashmë i racionalizuar në raport me standardet rajonale, ndaj çdo pretendim se numri aktual i universiteteve është i lartë rezulton faktikisht i pabazuar.
Problemi nuk qëndron te sasia, por te menaxhimi i brendshëm, shpërndarja e burimeve dhe efikasiteti institucional.
Në diskursin publik shpesh krijohet përshtypja se Maqedonia e Veriut ka një numër të tepërt universitetesh, por të dhënat statistikore rajonale tregojnë të kundërtën, pasi vendi ka numrin më të ulët të universiteteve në rajon. Ky fakt e zbeh ndjeshëm argumentin për reduktim sasior dhe ngre dyshime se problematizimi mund të jetë i orientuar drejt universiteteve që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe, të cilat përbëjnë shtylla të rëndësishme të barazisë sociale dhe etnike në vend. Edhe pse racionalizimi paraqitet si mjet për rritjen e cilësisë, mbetet rreziku që kjo reformë të perceptohet si një agjendë politike.
Nëse synimi është realisht cilësia, zgjidhja nuk është mbyllja e institucioneve, por konsolidimi i burimeve brenda strukturave ekzistuese përmes profilizimit akademik, krijimit të konsorciumeve për kërkim shkencor, vetingut të stafit akademik, kalimit drejt financimit sipas performancës dhe digjitalizimit administrativ. Një universitet me staf akademik cilësor dhe integritet të lartë shkencor ka vlerë shumë më të madhe se një strukturë e madhe me tituj të dyshimtë.
Sfida kryesore e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut nuk është numri i institucioneve, i cili është më i ulëti në rajon, por mënyra e menaxhimit të tyre dhe niveli i cilësisë akademike. Çdo reformë që synon reduktimin e numrit të universiteteve pa një bazë të fortë meritokratike dhe empirike do të interpretohet si tendencë politike ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Rruga e qëndrueshme mbetet rritja e cilësisë brenda institucioneve ekzistuese, përmes transparencës, integritetit akademik dhe përdorimit më efikas të burimeve publike.
