Duke parë presionet që i merr Qeveria aktuale për shkak të ndryshimeve kushtetuese, me në krye Dimitar Kovaçevskin e vetmja gjë që na vjen ndërmend është se Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Europian mund ta çojë vetëm një kryeministër shqiptar, shkruan POPULLI.
Kujtojmë se kur u ndryshua emri i Maqedonisë në Maqedonia e Veriut atëkohë nga ish-kryeministri Zoran Zaev, ky i fundit u ‘gurëzua’ nga populli maqedonas duke thënë se po ndryshohet historia e kultura po tjetërsohet në diçka tjetër.
Gjithashtu rikujtojmë edhe Marrëveshjen e Prespës, me shtetin fqinj, Greqinë ku edhe atëherë poashtu ajo Qeveri me në krye Zoran Zaevin u kritikua ashpër nga populli maqedonas por që në fund rezultoi se ajo ishte e drejtë. Në gjithë këto procese ish-kryeministri Zoran Zaev kishte përkrahjen e plotë të shqiptarëve e që në fund nuk i doli huq. Ali Ahmeti ishte njëri nga figurat kryesore që luajti rol të rëndësishëm në ato rrethana, duke mos harruar edhe politikanët tjerë shqiptarë të cilët hynin e dilnin kohë pas kohe nga Qeveria e atëhershme.
Sot, ndryshe nga ajo kohë kur VMRO-ja kritikonte ashpër proceset nuk ka ndryshuar, është po e njëjta me po të njëjtën retorikë. Nuk i duan ndryshimet kushtetuese me faktin se do të tjetërsohet historia, kultura e identiteti maqedonas. Por një gjë të tillë Europa e mohon. BE thotë se nuk do të ndryshojë asgjë por vetëm e vetëm se RMV-ja do të fitojë duke filluar proceset për anëtarësim të plotë në familjen e madhe europiane.
Duke e parë gjithë barrën që ka kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski, më e udhës dhe më e mira do të kishte qenë që me vendin të udhëheqë një kryeministër shqiptar. Një kryeministër që do të kishte më pak presione, e më shumë përkrahje si nga Bashkësia Ndërkombëtare e poashtu nga qytetarët dhe nga rajoni. / POPULLI
