-3.2 C
Skopje
E diel, 22 Dhjetor, 2024

A mund të mbijetojë “Fronti Evropian” pas skandaleve të BDI-së?

Koalicioni “Fronti Evropian” përballet me sfida të reja që mund të vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe besueshmërinë e tij, veçanërisht pas shpalljes “non grata” të Artan Grubit dhe largimit të Përparim Bajramit nga Maqedonia e Veriut.

Shkruan POPULLI.mk

Këto zhvillime jo vetëm që e trondisin pozicionin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) brenda koalicionit, por edhe vënë në diskutim vlerat dhe standardet që “Fronti Evropian” pretendon të përfaqësojë. Ikja nga shteti e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit përbën një rrezik të madh për këtë parti, por njëkohësisht është edhe një reflektim i krizës së brendshme që po kalon partia.

Për Ziadin Selën dhe forcat e tjera të përfshira në këtë koalicion, bashkëpunimi me një parti si BDI, e cila ka tre figura të shpallura “non grata”, (Xhevat Ademi, Ramiz Merko dhe Artan Grubi) krijon një situatë të papranueshme. Integriteti politik i Selës dhe mbështetësve të tij mund të vihet në dyshim nga opinioni publik nëse ai vazhdon të mbështesë një partner të tillë. Ky bashkëpunim jo vetëm që dëmton besueshmërinë e koalicionit, por edhe minon përpjekjet për reforma dhe transparencë, duke e larguar atë nga vlerat evropiane që ai synon të promovojë.

Në këtë situatë, Ali Ahmeti duhet të reagojë me urgjencë për të adresuar këtë krizë dhe për të shmangur një kolaps të mundshëm elektoral. Ikja e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit e dëmton rëndë BDI-në dhe rrezikon të largojë një pjesë të madhe të elektoratit, i cili tashmë është i zhgënjyer nga skandalet dhe keqmenaxhimi, përfshirë rastin e Përparim Bajramit, i cili akuzohet për keqpërdorimin e Lotarisë Shtetërore me një dëm prej 8 milionë eurosh. Një pastrim i rrënjësishëm dhe një angazhim i qartë për transparencë janë të domosdoshme për të rikthyer besimin e qytetarëve. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit