Në horizontin politik të Çairit ka nisur të lakohet një emër i ri, ndryshe nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë për udhëheqjen e kësaj komune me peshë simbolike dhe politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për Kaltrina Zekolli Shaqirin, aktualisht zëvendësministre e Transportit dhe pjesë e koalicionit VLEN, shkruan POPULLI.mk
Kaltrina, me një përvojë të pasur në sferën e arsimit, shihet si një figurë që mund të sjellë frymë të re në qeverisjen lokale. Por pyetja që ngrihet është se a është gati Çairi të drejtohet nga një grua?
Tradicionalisht, kjo komunë ka qenë e udhëhequr vetëm nga burra. Prandaj, një kandidaturë e mundshme e Kaltrinës do të sfidonte jo vetëm një model të vjetër politik, por edhe normat shoqërore që ende e shohin udhëheqjen si domen të burrave.
Muaj më parë, zërat për një kandidaturë të saj nisën të qarkullojnë në qarqe politike dhe mediatike, por vetë Zekolli Shaqiri kishte deklaruar se vendimi përfundimtar i takon strukturave të VLEN-it.
Nëse emri i saj do të zyrtarizohej, kjo do të ishte një provë serioze për mentalitetin qytetar në Çair – një test për të parë nëse përparësia do t’i jepet kompetencës dhe vizionit, apo do të dominojnë paragjykimet gjinore.
A do të thyhet kjo tabu? Mbetet për t’u parë në muajt që vijnë. / © POPULLI.mk