5.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

A po hapet rruga për PUSHTET dhe LLOGARIDHËNIE ?!

Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut po rritet tensioni ndërmjet liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti si dhe liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, shkruan POPULLI.mk

Pas thirrjeve të përsëritura për zgjedhje të parakohshme, bashkë me ato lokale, Ali Ahmeti është shprehur se është i gatshëm për këtë opsion, duke hapur rrugë për një përballje të re politike. Rikujtojmë se edhe para zgjedhjeve parlamentare Ahmeti ngacmoi Mickoskin me disa thënie si “gurabija”, “keksa”, “të qet buza tomël” etj; gjë që bëri Mickoskin ta lërë Ahmetin dhe BDI-në e tij jashtë Qeverisë dhe ta merr koalicionin VLEN si partner.

Nga ana tjetër, Mickoski ka shfrytëzuar rastin për të bërë deklarata të ashpra kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit, duke e sfiduar atë për të qenë i përgatitur për llogaridhënie. Ai ka theksuar se BDI duhet të japë përgjigje për keqpërdorime të ndryshme, që sipas tij kanë ndodhur gjatë qeverisjes së kësaj partie bashkë me LSDM. Mickoski është zotuar se kjo Qeveri nën drejtimin e VMRO-DPMNE dhe VLEN do të vendosë drejtësi dhe transparencë në mënyrën e menaxhimit të çështjeve publike, duke paralajmëruar një periudhë të vështirë për BDI-në në opozitë.

Në këtë kontekst, edhe zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, një figurë e rëndësishme politike dhe kritik i BDI-së, ka bërë një koment të fortë duke thënë se BDI-ja do të jetë për një kohë të gjatë në opozitë. Sipas Mexhitit, qytetarët janë të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe keqmenaxhimi i resurseve publike nga BDI-ja, dhe ata kërkojnë një ndryshim të thellë që do të sjellë një politikë të re më të drejtë dhe më të përgjegjshme ndaj interesave të qytetarëve.

Ky konflikt i hapur politik pritet të thellojë ndarjet ndërmjet partive. Fushata që do të pasojë mund të sjellë një atmosferë të ashpër dhe të ngarkuar, ndërsa zgjedhjet e parakohshme, nëse mbahen në vitin e ardhshëm bashkë me ato lokale, do të tregojnë se cila palë do të fitojë mbështetjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit