11.8 C
Skopje
E hënë, 10 Shkurt, 2025

A po luhet me inteligjencën e popullit përmes sondazheve ?!

A Po Mashtrohet Opinioni Publik me Sondazhe? Në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sondazhet shpesh janë bërë mjet propagande, më shumë për të manipuluar perceptimin publik sesa për të reflektuar realitetin.

Shkruan POPULLI.mk

Sondazhi i fundit që e rendit BDI-në si forca kryesore në bllokun shqiptar me 12.6% përkrahje, ka ngritur shumë pikëpyetje. Kjo shifër e diskutueshme ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili ka akuzuar se ky sondazh është i porositur nga vetë Artan Grubi, njëri nga figurat më të diskutuara të BDI-së, i shpallur “non grata” nga SHBA-të për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe ndërhyrje në Gjyqësor.

Kur një pjesë e madhe e anëtarëve të BDI-së po largohen për t’iu bashkuar Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, ky sondazh nxjerr LD-në me vetëm 1% përkrahje. Kjo në vetvete është qesharake. Në anën tjetër, Alternativa dhe Besa figurojnë me nga 1.7%, kurse Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit me 3.9%. Këto shifra janë absurde, duke pasur parasysh lëvizjet politike të fundit dhe realitetin në terren. Si mund të jenë këto rezultate të besueshme kur mbështetja për këto parti është shumë më e madhe sesa tregohet?

BDI-ja me 12.6%? Një parti e përfshirë në skandale të njëpasnjëshme – nga persona të shpallur “non grata” nga SHBA, deri te korrupsioni dhe anëtarët e saj që përballen me procese gjyqësore – ende pretendon të ketë mbështetje të gjerë. Por kush u beson këtyre shifrave? Për shumë qytetarë, këto anketa nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për t’u dhënë moral strukturave të rrënuara të partisë dhe për të krijuar një iluzion të përkrahjes masive.

A po ia bën qejfin vetes BDI-ja? Duke manipuluar sondazhet dhe duke përhapur rezultate të pavërteta, ata përpiqen të shpëtojnë imazhin e dëmtuar nga krimet dhe korrupsioni. Kjo strategji është një përpjekje për të hequr vëmendjen nga realiteti i hidhur – një parti që ka humbur besimin e qytetarëve dhe që mbijeton falë lojërave politike.

Sondazhe të tilla nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e thellojnë ndarjen mes qytetarëve dhe elitave politike. Në vend që të pasqyrojnë të vërtetën, ato përdoren si mjete manipulimi për të mbajtur gjallë një sistem të kalbur. Populli shqiptar meriton transparencë dhe drejtësi, jo lojëra politike që fyejnë inteligjencën e tyre.

E ardhmja kërkon një qasje të re – një politikë të bazuar në integritet dhe realitet, jo në sondazhe të porositura për interesa personale. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit