8.8 C
Skopje
E martë, 11 Shkurt, 2025

A po venitet uniteti brenda Frontit Evropian ?!

Pas zgjedhjeve parlamentare të fundit, Fronti Evropian, i krijuar si një koalicion për të garantuar stabilitet dhe reforma pro-evropiane, duket se po kalon një periudhë të pasigurt.

Shkruan POPULLI.mk

Kanë kaluar tashmë tetë apo nëntë muaj nga zgjedhjet dhe, për habi të shumë qytetarëve dhe mbështetësve të këtij projekti politik, nuk është mbajtur ende asnjë mbledhje e përbashkët mes partive të këtij fronti. Në vend të bashkëpunimit dhe veprimit të koordinuar, partitë anëtare kanë nisur organizimin e tubimeve dhe takimeve me qytetarët në mënyrë të pavarur, duke krijuar përshtypjen se kohezioni brenda frontit po venitet.

Shumë votues, që mbështetën Frontin Evropian përmes votës së tyre për partitë përbërëse, sot ndihen të anashkaluar. Ka një shqetësim të qartë se partitë e këtij koalicioni po shohin më shumë interesat e tyre individuale sesa bashkëpunimin për realizimin e premtimeve të përbashkëta. Ndërkohë, një pyetje që po diskutohet gjithnjë e më shumë në qarqet politike është: a po përgatitet ndonjë parti për t’u shkëputur nga ky front? Nëse po, ky largim do të ishte një goditje për frymën e bashkimit evropian që ky koalicion synonte të simbolizonte.

Një tjetër sfidë e madhe për Frontin Evropian janë zgjedhjet lokale, që do të jenë testi i parë real për koalicionin. A do të prezantohen ata me kandidatë të përbashkët, duke treguar unitet dhe vazhdimësi, apo do të garojnë si parti të ndara, duke rrezikuar humbjen e mbështetjes publike?

Pa një strategji të qartë dhe pa mbledhje për të adresuar këto çështje, Fronti Evropian rrezikon të shndërrohet në një aleancë të përkohshme, pa vizion dhe pa drejtim të unifikuar. Tani është koha për liderët e tij që të tregojnë lidership dhe të ruajnë besimin e qytetarëve që besuan në këtë projekt politik. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit