Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari nuk ka pasur takim as gjatë ditës e as sonte me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Lajmi i publikuar në disa media për gjoja takim mes kryetarit Arben Taravari me Mickoskin është i rremë, pasi makina të cilën e sjellin si “fakt” këto media, ajo nuk është e kryetarit të ASH-së.
Makina në fjalë është e kryetarit të Degës së VMRO-DPMNE-së nga Komuna Mavrovë-Rostushë, Haris Ibrahimi.
ASH edhe një herë thekson se siç ka pasur deri më tani takime kryetari Taravari dhe asgjë nuk është fshehur nga opinioni, ashtu do të veprojë edhe në të ardhmen. Aleanca po mbetet me transparencë të plotë dhe e hapur për çdo media në çdo kohë për të ndarë informata me karakter publik që të mos vijë deri te spekulimet dhe keqinterpretimet sikurse me rastin siç po ndodh për momentin me disa media të caktuara.
Po ashtu reagim ka ardhur edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë akuzuar Artan Grubin se po liferon lajme të rrejshme për VMRO-DPMNE-në, gjoja të ketë pasur takim mes Taravarit dhe Mickoskit.
“Pyesim prej ku e di Artan Grubi i cili është në Austri (duke tregtuar në një prej dyqaneve më luksoze të Gucci, Barberi dhe Versace) se Arben Taravari ka qenë në selinë e VMRO-DPMNE-së. Sot Taravari nuk ka qenë në VMRO-DPMNE ndërsa e kuptojmë edhe nervozën dhe frustrimin e tij për shkak ditëve të numëruar në pushtet”, qëndron në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
