9.8 C
Skopje
E hënë, 9 Mars, 2026

Abdixhiku pas takimit me Presidenten Osmani: Në Kosovë nuk ka shumicë parlamentare, zgjedhjet janë alternativa e vetme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, me liderët e partive parlamentare, pas dështimit të Qeverisë Kurti për të siguruar shumicën në Kuvend.

Në një reagim pas takimit, Abdixhiku theksoi se qëndrimi i LDK-së — se në Kosovë nuk ekziston shumicë parlamentare pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit — është vërtetuar plotësisht.

“Ndonëse na u humbën 8 muaj kohë për ta kuptuar këtë gjë, ja ku jemi sërish në vendin e njëjtë”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se gjatë takimit u diskutua për mundësinë e një tranzicioni apo uniteti qeverisës për të kapërcyer situatën politike, duke kujtuar se LDK shumë më parë kishte propozuar një Qeveri Uniteti me plan 15 pikësh, e cila ishte hedhur poshtë nga shumica aktuale.

“Fatkeqësisht ky propozim, vizion e drejtim ishte përqeshur. Sot jemi vonë — vonë për të humbur ditë të tjera duke mos pasur guxim politik për të qenë të vërtetë me veten dhe popullin e Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Abdixhikut, askush nuk është në gjendje të sigurojë shumicë në Kuvend, prandaj shkuarja në zgjedhje të reja mbetet alternativa e vetme.

“Afatet kushtetuese po rrjedhin pa kthim. Fatkeqësisht, zgjedhjet e reja janë rruga e vetme. LDK pret respektimin e qëndrimit të të gjitha partive dhe përmes tyre, respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përfundoi kreu i LDK-së.

Të ngjajshme

Të fundit