Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quajti ai, tjetërsimeve të votës që kanë ndodhur në disa qytete, duke theksuar se në shënjestër janë vënë politikanë të rinj dhe të pastër.
Abdixhiku tha se vota iu është tjetërsuar Parisit dhe politikanëve të tjerë të rinj, jo për shkak të gabimeve, por sepse ata nuk u përshtaten atyre që, sipas tij, e kanë shndërruar politikën në strehë interesash.
“Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër, por goditet ideja e një gjenerate që beson në të ardhmen. Mbi të gjitha, goditet reforma”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, ajo që po ndodh nuk është rastësi, por rezistencë e strukturave që prej vitesh kanë dëmtuar institucionet dhe tani po përpiqen të ndalin proceset reformuese që nuk i tolerojnë dot.
Ai theksoi se sulmi ndaj emrave të rinj dhe të pastër është sulm direkt ndaj punës pesëvjeçare të LDK-së dhe ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.
“Pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, u shpreh Abdixhiku.
Kreu i LDK-së kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, duke insistuar se duhet të ketë përgjegjësi ligjore dhe dënime për këdo që ka cenuar votën e lirë.
“Komisionerët manipulues kanë emra, dihen të gjithë. Ata dhe porositësit e tyre duhet të marrin përgjigje pa hezitim”, theksoi ai.
Po ashtu, Abdixhiku kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, për të larguar çdo dyshim dhe për të garantuar transparencë të plotë të procesit zgjedhor.
“Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, përfundoi Abdixhiku, duke shtuar se edhe pse LDK ka më së paku parregullsi krahasuar me subjektet e tjera, përgjegjësia e saj është e dyfishtë pikërisht për këtë arsye.
