Kultivuesit e një lloji të veçantë të qershisë që kultivohet në Maqedoninë e Veriut janë prekur ndjeshëm nga pushtimi rus i Ukrainës, duke mos qenë në gjendje ta eksportojnë prodhimin e tyre në këto dy vende.
Ata nuk kanë arritur të gjejnë tregje tjera për ta eksportuar qershinë e tyre, dhe si pasojë prodhimi i tyre ose është kalbur ose ka përfunduar në tregun vendor me një çmim dukshëm më të ulët.
Para se Rusia ta pushtonte Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Maqedonia e Veriut eksportonte mbi 800 tonë qershi në Ukrainë dhe Rusi në vit.
Vanço Stojanovski, një bujk nga fshati Orman i Ohrit, edhe këtë vit është përballur me mungesë të tregut të jashtëm për shitjen e qershisë, e cila vlerësohet si ndër më cilësoret jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë dhe kryesisht njihet me emrin “qershia e Ohrit”.
“Qershia është një kulturë bujqësore shumë specifike. Nëse qëndron vetëm pak ditë e mbledhur ajo prishet. Nevojiten kushte të veçanta për eksportin e saj, por ku ta dërgojmë, të gjitha dyert i kemi të mbyllura. Me Rusinë kemi sanksione pasi përmes këtij shteti ne arrinim në tregjet e Ukrainës. Ne, nuk kemi as tregje në Evropë kështu që po përballemi me katastrofë të vërtetë. Kështu ndodh tash e dy vjet, kemi dëme të mëdha”, thotë Vanço Stojanovski.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, për dallim nga viti i kaluar kur ishin mbledhur rreth 800 tonë qershi, këtë vit prodhimi është shumë më i dobët për shkak të ndryshimeve klimatike, dhe reshjeve të shumta të shiut që i kanë dëmtuar shumë kultura bujqësore, përfshirë qershinë dhe pemë e perime tjera.
Ai dhe bujqit e tjerë në këtë rajon të pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, prodhimet e tyre, në veçanti qershinë, i kanë eksportuar kryesisht në Ukrainë dhe Rusi, me një çmim nga 4.5 deri në 5 euro për kilogram.
Tash e dy vjet kjo është pamundësuar për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë. Ata nuk kanë arritur të sigurojnë as tregjet evropiane, që nënkupton se prodhimet e tyre ose janë prishur ose në sasi të vogla janë shitur në tregun vendor me një çmim deri më një euro për kilogram.
