Gjatë tubimit madhështor të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) të mbajtur sonte në Tetovë, Ali Ahmeti mbajti një fjalim të fuqishëm, duke mbështetur me vendosmëri kandidaturën e Bajram Rexhepit për kryetar të Komunës së Tetovës dhe duke dhënë mesazhe të qarta politike e morale.
Ahmeti u ndal veçanërisht në nevojën për t’i dhënë fund qeverisjes së paaftë dhe populiste, duke kritikuar hapur udhëheqësinë aktuale.
“Nuk kam kurrfarë inati me Bilallin. Por është i paditshëm dhe i pagdhendur për të drejtuar. Tetova e dy universiteteve, siç e tha edhe Sela, nuk meriton të drejtohet nga njerëz pa vizion e pa përgatitje,” deklaroi Ali Ahmeti.
Duke folur për kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim, ai theksoi integritetin dhe profesionalizmin e Bajram Rexhepit.
“Tetova do të drejtohet nga një njeri që e do këtë qytet, nga një profesionist i përgatitur, që do t’i japë Tetovës hijen e një qyteti evropian”, theksoi Ahemti.
Ahmeti nënvizoi gjithashtu faktin se qytetarët nuk janë të painformuar për abuzimet që kanë ndodhur gjatë katër viteve të fundit.
“Bajrami nuk hyri në detaje se sa miliona kanë shkuar kot, apo kanë përfunduar në xhepat e njerëzve dhe grupeve të interesit që i rrethojnë ata” tha ai.
Tubimi i sotëm dëshmoi një pjesëmarrje të gjerë dhe një mobilizim të fortë për zgjedhjet që mbahen të dielën, më 19 tetor, ku AKI synon të rikthejë qeverisjen e përgjegjshme dhe të përfaqësojë me dinjitet interesin qytetar në Tetovë.