Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 10 Qershorin – ditën e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – duke e cilësuar si një ndër momentet më të rëndësishme në historinë e vetëdijes kombëtare shqiptare, informon POPULLI.mk
Ahmeti vlerëson se Lidhja e Prizrenit nuk ishte thjesht një reagim ndaj rreziqeve të kohës, por fillimi i një epoke të re për shqiptarët, që mbolli frymën e bashkimit, vetëdijes dhe vendosmërisë për të drejtat kombëtare.
“10 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendar. Është kujtesë e gjallë e një ngjarjeje që vulosi fatin e çështjes sonë kombëtare në të gjitha trojet shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e thirrur më 1878, ishte lindja e një epoke të re për shqiptarët,” ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, fryma e Lidhjes ka ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjet e mëvonshme kombëtare, përfshirë Lëvizjen Popullore të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
Ahmeti shton se vendimet e Kuvendit të Prizrenit mbeten udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, disa nga të arriturat kombëtare po sfidohen.
“Sot, në një kohë kur shumë të arritura po sfidohen, na duhet më shumë se kurrë bashkimi rreth qëllimeve kombëtare, rreth kauzës sonë të përbashkët për dinjitet, barazi dhe përfaqësim të drejtë.”
Kreu i BDI-së e mbyll mesazhin e tij me një thirrje për unitet dhe veprim të përbashkët:
“E ardhmja ndërtohet mbi mësimet e historisë dhe mbi unitetin tonë. Bashkë për kombin, bashkë për të ardhmen!” / © POPULLI.mk