10.8 C
Skopje
E martë, 17 Mars, 2026

Ahmeti nga Prishtina: Shqiptarët në Maqedoni janë në shënjestër të një boshti politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, është pritur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, ku të dy liderët diskutuan për zhvillimet politike në rajon, sfidat aktuale dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për paqe, stabilitet dhe integrim euroatlantik.

Ahmeti falënderoi Presidenten Osmani për mikpritjen dhe e vlerësoi rolin e saj udhëheqës në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe krijimin e shpejtë të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës.

Në deklaratën e tij pas takimit, Ahmeti ngriti shqetësimin për përkeqësimin serioz të situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, shqiptarët atje janë vënë në shënjestër të një “boshti hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe përfaqësim të inxhinieruar politik”.

“Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak, duke anuluar themelet e barazisë, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe mekanizmat mbrojtës si balancuesi dhe badenteri. Kjo është një shkelje flagrante e barazisë ndëretnike dhe kërcënon bashkëjetesën që kemi ndërtuar me shumë mund,” theksoi Ahmeti.

Ai paralajmëroi se për herë të parë po shfaqen ide që vënë në pikëpyetje karakterin shumetnik dhe unitar të shtetit, ashtu siç është përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, dosja evropiane e vendit është lënë pas dore, duke devijuar nga rruga e integrimeve dhe vlerave të përbashkëta.

Ahmeti bëri thirrje për vigjilencë, unitet dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur të arriturat historike dhe për të garantuar të ardhmen evropiane të qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Të ngjajshme

Të fundit