25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Ahmeti: Paragjykimet ndaj shqiptarëve duhet të marrin fund, jemi garant i stabilitetit në vend

Në tubimin e Aleancës Kombëtare për Integrim që u mbajt sot në Çashkë, lideri Ali Ahmeti përcolli një mesazh të fuqishëm për bashkëjetesë, barazi dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se paragjykimet ndaj shqiptarëve duhet të marrin fund dhe se koha ka treguar se ata janë të aftë të drejtojnë institucione shtetërore me sukses.

“Shqiptarët janë parë për dekada si pastrues, si ata që hapin kanale, presin dru, por jo si drejtues shteti. Kjo është padrejtësi. Talat Xhaferi ka qenë kryetar i Kuvendit për tetë vite dhe ka treguar profesionalizëm të lartë. Agim Nuhiu ka drejtuar Ministrinë e Brendshme, dhe shteti nuk u rrëzua, përkundrazi, u rrit lojaliteti. Po kështu, Bujar Osmani udhëhoqi me sukses diplomacinë e vendit”, u shpreh Ahmeti.

Ai shtoi se përfaqësimi i shqiptarëve nuk përbën rrezik për shtetin, por përkundrazi, sjell stabilitet dhe përmirësim të imazhit ndërkombëtar, duke kujtuar se Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s gjatë kësaj periudhe të përfaqësimit të fuqishëm shqiptar.