Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot heroin Luan Haradinaj në 27-vjetorin e rënies së tij. Në një postim emocional, Kurti e përshkruan Luanin si një të ri të guximshëm, student dhe luftëtar, që jetën e ndau mes dijes dhe luftës për çlirim, informon POPULLI.mk
“Guximtar dhe trim, ndonëse në një moshë të re. Student e luftëtar: jeta e tij ishte e ndarë mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës,” ka shkruar Kurti.
Ai kujton se aksionet guerile të Luanit kundër forcave serbe ishin të panumërta, të nxitura nga dashuria për atdheun dhe përkushtimi për liri. Luani, sipas Kurtit, mbrojti shokët dhe atdheun me vendosmëri të jashtëzakonshme.
Luan Haradinaj u vra më 6 maj 1997, në moshën 23-vjeçare, teksa përpiqej të kalonte kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës – kufi i dikurshëm i ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët. Ai e përshkonte shpesh këtë rrugë për shkak të studimeve, por edhe për të kryer aksione kundër forcave serbe dhe për të bartur armatim për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“6 maji është përvjetori i rënies së tij dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit,” ka përfunduar Kurti, duke i dhënë nderim të veçantë veprës së Luan Haradinajt.
“Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!” / © POPULLI.mk
