Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar sot Pranverën e Dinjitetit dhe fillimin e luftimeve të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” në rajonin e Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, informon POPULLI.mk
Në një mesazh përmes rrjeteve sociale, Ahmeti shprehu keqardhje që nuk mundi të ishte fizikisht i pranishëm në tubimin përkujtimor, për shkak të angazhimeve të tjera të rëndësishme.
“Kujtoj atë ditë marsi kur lëshuam një kushtrim të fuqishëm lirie, kur jehuan krismat lajmëtare të pranverës së dinjitetit kombëtar nga ana e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,” shkroi ai.
Ahmeti theksoi se Kalaja e Sellcës çdo vit bëhet vendtakim i familjarëve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, për të reflektuar mbi kauzën kombëtare dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për lirinë.
Duke përmbyllur mesazhin e tij, Ahmeti apeloi për unitet, duke kujtuar se sfidat e sotme kërkojnë të njëjtën përkushtim si ai i Pranverës së vitit 2001.
“Andaj, qofshim të bashkuar si në pranverën e vitit 2001 në Malësinë e Sharrit, edhe tani kur po përballemi me shumë sfida që cenojnë ato të arritura me gjak e sakrificë,” përfundoi ai. / © POPULLI.mk