Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth drejtësisë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se lufta e popullit shqiptar ishte e drejtë, e nevojshme dhe e mbështetur nga bota demokratike, informon POPULLI.mk
“Lufta e popullit shqiptar, e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore kanë dëshmuar çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci dhe pavarësi”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka qenë i prerë në kundërshtimin e çdo përpjekjeje për ta kriminalizuar luftën çlirimtare, duke paralajmëruar se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi baza politike të imponuara nga Rusia dhe “dëshmi” të fabrikuara nga Serbia.
“Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe në dëshmi të servuara nga Serbia. Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes fuqimisht protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së”, theksoi lideri i BDI-së.
Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje në protestën që do të mbahet më 7 gusht, në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë,” përfundoi Ahmeti. / © POPULLI.mk
