Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut tani e gjatë kohë nuk mund të marë notë kaluese tek qytetarët. Ky është një shqetësim i madh për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një nga shtyllat kryesore të shoqërisë. Mirëpo shqetësimi është edhe më i madh, kur del në shesh një e vërtetë shumë më e hidhur, e ajo është se as vetë gjykatësit nuk i besojnë vendimeve të gjykatave. Ky është kulmi, në kuptimin negativ, që mund t’i ndodhë një shteti dhe një shoqërie. A mundet të ketë paradoks më të madh?
Shikoni vetëm rezultatet e Hulumtimit të Antikorrupsionit i realizuar me vetë gjykatësit, mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe gjithçka do të jetë i qartë, shkruan Zhurnal.
Hulumtimi nxori në pah të dhëna alarmante që tregojnë për punë të gjykatave nën presione dhe ndikime nga të gjitha anët , që si pasojë ka sjellur humbjen e besimit dhe shpresës edhe tek vetë gjykatësit.
Nuk ka dyshim se për këtë situatë katastrofike nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia gjykatëit dhe ndosht barra më e madhe u takon atyre. Por me vend janë edhe vërejtjet se nuk ekziston një mekanizëm efikas për të mbrojtur funksionimin e gjyqësorit nga ndikimet e jashtme.
Të qash apo të qeshësh?
Si e ndiejnë veten përfaqësuesit e një shteti, kur kryesuesi i një organizate ndërkombëtare si OSBE, prezanton rezultatet e hulumitimi që tregon shumë përvoja negative të gjykatësve dhe prokurorëve duke hedhur dritë mbi rreziqet dhe dobësitë që pengojnë zbatimin e drejtësisë. Tek si duhet të ndihen qytetarët e atij shteti kur dëgjojnë se sa i madh është mosbesimi shumë i përhapur i funksionimit dhe pavarësisë së Këshillit Gjyqësor dhe drejtësinë gjatë procedurave që lidhen me caktimin, promovimin dhe shkarkimin e gjykatësve.
“Gjykatësit dhe prokurorët publik shprehën dyshime të theksuara për aftësinë e Këshillave të tyre përkatës për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit dhe të marrin vendime autonome dhe të pavarura. Përmes zërit të gjykatësve dhe prokurorëve ky vlerësim sfidon status-quon, prezanton shqetësimet e tyre të theksuara dhe nxjerr në pah nevojën urgjente për zhvillimin e mekanizmave anti-korruptive më efektive,” tha Kilian Val, shef i misionit të OSBE-së në Shkup.
Gjykatësit janë shprehur se “duart” në punën e tyre për të ndikuar në vendime i fusin vetë kolegët e tyre gjykatës ndërsa 42 për qind prej tyre kanë përjetuar presion dhe përpjekje për ndikim nga “shefat” e tyre, siç janë kryetarët e gjykatave, shkruan Zhurnal.
Nën presion gjykatësit ndjehen edhe nga përfaqësues të partive politike, mbi një e treta e tyre janë shprehur se politikanët kanë tentuar të ndikojnë në punën e tyre. As pushteti ekzekutiv, në këtë rast siç janë Qeveria, ministria e Drejtësisë dhe MPB-ja, s’i lënë ato rehat të marrin vendime, 36 për qind e gjykatësve janë shprehur se këto institucione kanë tentuar të ndikojnë mbi punën e tyre.
Për këtë arsye edhe pse ndoshta nuk i pëlqen politikës, qytetarët e Maqedoisë së Veriut me duartrokitje duhet të presin tonet e ashpra që shprehin në tëkë temë përfaqësues të vendeve tona mike, shkruan Zhurnal. Tone të tilla ka shprehur edhe zëvendës ambasadori i ShBA-ve Eric Meyer, i cili madje tha se i është dashur të mendojë dy herë nëse do të merrte pjesë në këtë ngjarje (prezantimin e rezultateve të hulumtimit), pasi sipas tij, ShBA-ja vazhdimisht ka alarmuar për situatën. Pse është dashur të mendojë dy herë zëvendës ambasadori Meyer? Me siguri pak nga turpi për të dëgjuar të dhëna të tilla, e pak nga neveria që medoemos që ndien secili kur dëgjon të dhëna dëshpëruese të tilla. Të qash, apo të qeshësh!
“Vlerësimet për rreziqet e korrupsionit mund të jenë të dobishme vetëm në qoftë se të dhënat përkthehen në veprime, si ligje, strategji dhe rregulla. Këto janë vetëm fjalë në qoftë se mungon zbatimi i tyre dhe përkushtimi i vërtetë nga udhëheqësit. Të gjithë e dimë se diçka duhet të ndryshojë, status quo-ja këtu nuk po funksionon. Në Ambasadën e ShBA-ve ne në mënyrë rutinore dëgjojmë për akuza për korrupsion, më së shpeshti ne dëgjojmë për ndikim politik në gjyqësor, qofshin emërim të gjykatësve, shkarkimet ose në rezultatet e lëndëve dhe në vonesa” , deklaroi Meyer.
Gjykatësit përveç punës së njëri-tjetrit, nuk besojnë as te institucioni më i lartë i Gjyqësorit, Këshilli Gjyqësor. Të pyetur nëse Këshilli Gjyqësor punon në drejtim të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit, 72 për qind e gjykatësve janë shprehur se ky institucion nuk punon në drejtimin e duhur. Mjerim! Me të vërtetë turp dhe mjerim!
Si rrezik më të lartë të korrupsionit në gjyqësor, gjykatësit vlerësojnë se janë keqpërdorimet e mundshme të ekspertëve dëshmitarë, të cilat shpesh herë mund t’i përgatisin ekspertizat në favor të porositësit, abuzimi nga avokatët me qëllim të zvarritjes së procedurave dhe cilësia e ulët e aktakuzave.
Nga kjo papërgjegjësi e gjykatave më shumë pësojnë qytetarët, se gjykatësit!
Alaramante janë të dhënat se as vetë gjyqtarët nuk i besojnë sistemit gjyqësor në ven, thotë kryetar i këshillit gjyqësor, Sashko Georgiev. Ai inkurajoi gjyqtarët që të gjitha presionet që marrin ti denoncojnë në organet tjera nëse nuk i besojnë këshillit gjyqësor. Sipas Georgiev këto anomali cënojnë edhe integritetin e vetë gjyqtarëve.
“Unë personalisht kam qenë i pranishëm në këtë tribunë. Unë e dëgjova atë. Ishte për vitin 2022. Këtu u tha se për disa ndikime nga kryetarët e gjykatave, nga gjykatat më të larta, madje edhe nga anëtarët. Për mua, të gjitha këto të dhëna janë me rendësi. I inkurajoj dhe u bëj thirrje gjyqtarëve, të cilët u anketuan, kanë raportuan në mënyrë anonime se kanë pasur ndikim dhe presion nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, kryetarët e gjykatave, që të denoncojnë lirshëm. Si një mesazh për kolegët gjyqtarë – i inkurajoj që një situatë e tillë është alarmante, jam dakord. Dhe nëse e ndiejnë, ka Prokurori, le të denoncojnë lirshëm” – tha Sashko Georgiev.
Nuk ka dyshim se nga kjo papërgjegjësi e gjykatave më shumë pësojnë qytetarët, se gjykatësit! E kemi fjalë për qytetarët e ndershëm, sepse kriminelëve të gjith natyrave gjithsesi se u shkon në favor kjo mënyrë e funksionimit të gjykatave. Këtë e tregojnë edhe shifrat, shkruan Zhurnal.
Në të gjitha gjykatat në vend, mesatarisht vjetërsohen rreth 1.000 lëndë në vit, ose më saktësisht 932, tregojnë të dhënat që Meta.mk i ka marrë nga gjykatat, duke përdorur Ligjin për qasje të lirë në informacion publik. Këto të dhëna i referohen periudhës 2018-2022, ndërsa numër më të madh të lëndëve të vjetërsuara ka pasur në vitin 2019 dhe në vitin 2020.
Nuk duhet t’i shikojmë këto të dhëna vetëm sin umra. Duhet t’i shikojmë si 1.000 raste ku të dyshuar për shkelje të ligjit kanë shpëtuar pa pasur fare epilog proceset ndaj tyre. Me automatizëm kjo don të thotë se janë dëmtuar së paku 1.000 qytetarë tjerë, të cilët kanë qenë të dëmtuar në rastet e vjetruara.
Shpresë e rrejshme, apo shpresë reale për ndryshime pozitive?
Një e dhënë që jep pak shpresë është ajo që tregon se trendi i vjetërsimit të lëndëve është në rënie, kështu që vitin e kaluar në gjykatat themelore dhe ato të apelit janë vjetërsuar 456 lëndë. Shumica e veprave për të cilat ka ndodhur vjetërsimi kanë të bëjnë me rrezikimin e sigurisë në komunikacion. Numri i lëndëve të vjetruara gjyqësore.
Një shpresë tjetër jep edhe njoftimi i ministrit Krenar Lloga për fillimin e reformës në drejtësi, në kuadër të cilave kuvendi ka miratuar ndryshimet ligjore për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve.
“Kuvendi e miratoi Ligjin e ri për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.
Ndryshimet parashikojnë unifikimin e praktikës gjyqësore përmes rritjes së vëllimit të trajnimeve për gjyqtarët në kuadër të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, si dhe ridefinimin e mënyrës së procedurës së provimit pranues dhe atij përfundimtar duke u bazuar në mënyra matëse dhe kritere objektive për vlerësimin e njohurive të kandidatëve. Me këtë ligj mundësohet marrja e një certifikate të unifikuar për trajnim fillestar të përfunduar për gjyqtar dhe prokuror publik”, ka njoftuar ministri Lloga nëpërmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Paralajmërime shpresëdhënëse jnë bë vazhdimisht për ndryshime pozitive në gjyqësor, por deri tani ka mbetur shumë për të dëshiruar. Nëse edhe këto paralajëmrime të reja nuk japin ndonjë rezultat të shpejtë dhe konkret, atëherë gjithsesi do të parashtrohet pyetja nëse gjyaësorit tonë i nevojitet “një pastrim kimik” në aspektin simbolik. Duhet mendruar për aplikimin e disa masave që përmenden gjatë kohë, siç ishte për shembull ideja e kamotshme për pensionim të gjykatësve në moshë 55 vjeçare. Nevojiten rezultatet të shpejta, që të mos lejohet kjo temë të na marë kohë shtesë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, kur ato të fillojnë! /Zhurnal
