Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu do t’i presin anketat të cilat i kryejnë partitë e tyre amë për të parë nëse do t’i kandidojnë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në vjeshtë.
Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Çairit në suaza të vizitave në terren nëpër komuna – “Ku zemra është shtëpi”, Perinski në deklaratë për mediumet tha se është ende herët, por se është kandidat potencial për kryetar të Qytetit të Shkupit.
“Koha do të tregojë. Ende është herët. Absolutisht se jam kandidat potencial për kryetar të Qytetit. Por, ende nuk ka vendim përfundimtar. Do të shohim në cilin drejtim”, tha Perinski.
Ganiu shfaqi bindje se cili do që të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, kandidati i VLEN-it do të jetë i aftë dhe cilësor për ta udhëhequr komunën në mënyrën më të mirë.
“Partia do të vendosë për atë. Sigurisht se bëhen anketa. Por, unë jam i bindur se nga Lëvizja demorkatike dhe si Vlen, edhe nëse nuk është Visar Ganiu, cili do që të jetë nga ata kandidatë që do t’i vendosin në anketë, unë mendoj se secili ka aftësi dhe cilësi ta udhëheqë këtë komunë në mënyrë më të mirë të mundshme. Secili që do të zgjedhet për të qenë kandidat në të ardhmen unë jam i bindur se do të jetë kandidati i duhur për t’iu shërbyer qytetarëve”, tha Ganiu.