27.2 C
Skopje
E hënë, 15 Qershor, 2026

Arbër Ademi: Disa parti të VLEN-it janë derivate të BDI-së

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka deklaruar se partia e tij ka pasur dhe vazhdon të ketë kanale komunikimi me të gjithë aktorët politikë, përfshirë edhe Arben Taravarin e Aleancës për Shqiptarët.

Në një intervistë për TV21, Ademi theksoi se BDI ka bashkëpunuar me shumicën e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe se disa nga partitë që sot janë pjesë e koalicionit VLEN, më herët kanë qenë pjesë integrale e BDI-së.

“BDI ka pasur bashkëpunim me të gjithë në forma të ndryshme. Disa nga partitë e VLEN-it janë derivate të BDI-së, duke pasur pozicione dhe funksione të rëndësishme për më tepër se 20 vite. Kemi pasur dhe kemi kanale komunikimi me të gjithë”, tha Ademi.

Megjithatë, ai nënvizoi se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka diçka konkrete në drejtim të zhvillimeve politike të ardhshme.