6.8 C
Skopje
E hënë, 17 Mars, 2025

ASH (Sela): Deklarata e Mickoskit rrëzon Marrëveshjen e Ohrit, partitë shqiptare të largohen nga Qeveria

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se nuk do të ketë më punësime në baza etnike. Sipas ASH-së, kjo deklaratë konfirmon se premtimet për punësime të shqiptarëve kanë qenë një mashtrim dhe demaskon partnerët shqiptarë në Qeveri, informon POPULLI.mk

“Me këtë rast, Mickoski rrëzoi Marrëveshjen e Ohrit dhe luftën e përditshme të shqiptarëve për barazi, duke i dhënë fund përfaqësimit të drejtë dhe adekuat,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

ASH kërkon që faktori politik vendor dhe ndërkombëtar të reagojë ndaj kësaj deklarate dhe paralajmëron alarmim të qendrave vendimmarrëse dhe përfaqësive diplomatike në vend.

Gjithashtu, ASH kërkon largimin urgjent të partive shqiptare nga Qeveria, duke i akuzuar ato për vasalitet ndaj VMRO-DPMNE-së dhe për dëmtimin e interesave të shqiptarëve.

“Mickoski me deklaratën e sotme jo vetëm që poshtëroi dhe turpëroi partnerët shqiptarë në Qeveri, por nënçmoi dhe degradoi edhe shqiptarët në përgjithësi,” përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit