Deklarata publike e këshilltarit të VMRO-DPMNE-së, Angel Karapetrov, ku hapur thotë se ka ndalur komisionin për ndryshimin e emrave të rrugëve “në mbrojtje të interesave maqedonase”, është pranimi më i pastër se kjo parti sot kontrollon pa maskë Bilall Kasamin dhe Komunën e Tetovës. Ata as nuk përpiqen më ta fshehin marrëveshjen politike për margjinalizim të interesave të shqiptarëve.
Tetova nuk qeveriset më nga qytetarët, por nga VMRO-DPMNE. Bilall Kasami, nga një figurë që premtonte zhvillim lokal, është kthyer në një administrator të përulshëm që zbaton urdhra për “interesa nacionale maqedonase” nga shefat e tij.
Për më tepër, kjo nuk është vetëm një betejë për emra rrugësh, është betejë për dinjitetin tonë kolektiv. E në këtë betejë, duhet të dihet: historia nuk i fal tradhtarët që e shesin Tetovën për një çerek pushteti!
Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë këtij skenari të turpshëm. Tetova nuk është koloni e VMRO-së dhe nuk do të lejojmë që të shndërrohet në simbol të nënshtrimit politik. Rruga për dinjitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve sapo ka filluar!