Gazetari dhe publicisti i njohur Marin Mema ka reaguar fuqishëm ndaj thirrjeve skandaloze dhe raciste kundër shqiptarëve që u dëgjuan pak ditë më parë gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, Maqedonia e Veriut. Ai ka kërkuar që shteti shqiptar të reagojë zyrtarisht dhe pa vonesë ndaj kësaj vale të re urrejtjeje që vjen, siç thotë ai, në prani të drejtuesve më të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, informon POPULLI.mk
“Shteti shqiptar duhet të reagojë zyrtarisht ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan në Maqedoninë e Veriut! Edhe më i rëndë është fakti se ato ndodhën në praninë e drejtuesve më të lartë të këtij vendi. Kjo frymë ekstreme dhe e rrezikshme është e papranueshme!” – shkruan Mema në reagimin e tij.
Ai kujton se shqiptarët nuk janë pakicë rastësore në këtë vend, por autoktonë dhe shtetformues, që kanë kontribuar ndër dekada për shtetin dhe shoqërinë në Maqedoninë e Veriut.
“Shqiptarët janë autoktonë në ato troje dhe askush nuk duhet të heshtë përballë asaj që ndodhi pak ditë më parë! E përsëris… shqiptarët janë autoktonë dhe shtetformues në Maqedoninë e Veriut!”
Duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë heshtja institucionale, Mema nënvizon se normalizimi i racizmit sjell kthesa të rrezikshme për gjithë rajonin.
“Heshtja mund të çojë në përsëritje dhe përsëritja në kthesa të rrezikshme! Pa shqiptarët, nuk ka të ardhme! Kjo duhet t’u qartësohet zyrtarisht autoriteteve në Maqedoninë e Veriut!”
Reagimi i tij ka gjetur jehonë të gjerë në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe figura të ndryshme publike kanë kërkuar gjithashtu reagim institucional nga Tirana zyrtare, por edhe nga faktori ndërkombëtar që ndjek nga afër zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk
