Mjafton vetëm portreti i tij, emri po se po, që të kujtohet humori shqiptar. Ai ishte babai i komedisë, sinonim i estradës shkodrane dhe jo vetëm. Zef Deda vdiq të premten në Shkodër. I trishtë ka qenë lajmi për ikjen e tij dhe i përhershëm është kujtimi për të. Zef Deda, sipas miqve, kolegëve e adhurueseve të tij do të jetojë nëpërmjet personazheve që i ka përjetësuar
Ka qenë i biri i tij, aktori i njohur Julian Deda ai që e ka dhënë lajmin për vdekjen e aktorit të madh. Prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Vdiq në Shkodër, ku do t’i jepet lamtumira e fundit të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhe në nderim të tij në teatrin “Migjeni”, që lidhet edhe me karrierën e tij. Cilësohej si njëri prej komedianëve më të mirë shqiptarë. U quajt edhe “Charlie Chaplini” i Shqipërisë.
U lind në Shkodër më 27 korrik 1950 teksa ishte shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, pastaj filloi shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Zef Deda ka punuar për më shumë se 40 vjet në teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij u spikat që në moshë të vogël, me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike. Prandaj dhe ishte mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran. Pas një shkëputjeje prej gjashtë vjetësh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me shumë sukses. Ka interpretuar edhe shumë komedi, si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2” e të tjera. Kunati i shokut Xhemal, Kola i dritave, Kushëriri nga Amerika, Altini (altufi) në dhjetëra emisione për fëmijë, roli në filmin “Gjurmë në kaltërsi” më 1981, janë disa prej personazheve emblematike të tij. Bënte pjesë në grupin e emblemave të humorit shkodran me Tano Banushin, Paulin Prekën, Zyliha Milotin e të tjerë.
“Chaplini” shqiptar
Buzëqeshja që nuk i shqitej dot, është portreti që kujtojnë kolegët e miqtë e tij.
“Para dy netësh shkova e takova, kemi shkuar më papara, jemi interesuar për shëndetin e tij. Ishte i ri për t’u larguar nga jeta, na la një dhimbje të madhe. Është Chaplini shqiptar, është aktor fenomen. E kemi dashur, kemi ndarë gjithçka me të, na mungon jo vetëm si artist, por edhe si njeri”, ka thënë aktorja Drande Xhaj, bashkëpunëtore e kahershme e Zef Dedës.
Rita Gjeka, drejtoreshë e teatrit “Migjeni” në Shkodër, ka thënë se Zef Dedën e ka pasur idhull. “Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë”, ka thënë Gjeka.
Aktori Besnik Çinari e ka ndarë skenën me Zef Dedën për gati gjysmë shekulli. “Lajmi për vdekjen e Zef Dedës në ka ardhur sikur të ndodhte në familjen tonë. Ne kemi hyrë në dekadën e pestë që punojmë me Zef Dedën. Me një fjalë për afër 50 vjet dhe nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë goje, sepse kemi punuar si shokë. Ishte mjeshtër i vërtetë. Madje në një shfaqje që është dhënë, është bërë show me shumë artistë dhe unë kam thënë që i vetmi artist që bën show në Shqipëri, është Zef Deda”, ka thënë Çinari. Ka kujtuar se ai ishte një artist i kompletuar. “U ka rënë të tëra veglave muzikore, ka qenë akrobat, ka qenë kloun, ka pasur zë fenomenal për parodi. Ka qenë shumë i madh”, ka kujtuar ai.
“Nuk vjen më Zef Deda në Shqipëri”, ka thënë aktori beratas Sejfullah Myftari, i njohur me akrin artistik Cekja. “Kam kujtime të mrekullueshme, e kam pasur shumë shok dhe mik. Është humbje e madhe për humorin shqiptar. Më vjen shumë keq, nuk mundem të flas dot më! Që në vitin ‘73 njiheshim bashkë, kemi qenë shokë. Kujtoj ato që kemi luajtur. Kur u liruam nga ushtria kemi pasur hyrje-dalje, ishte aktor i mrekullueshëm. E dija që ishte i sëmurë, por jo që ishte në këtë gjendje. Një humbje e madhe për humorin shqiptar, një aktor i mrekullueshëm”, ka thënë ai, raportojnë mediat në Shqipëri.
Regjisori Osman Mula ka qenë shok fëmijëria me Zef Dedën.
“Është një njeri me zemër të madhe. Shumë shpejt u pa tek ai që jetën do ta kishte në skenë. Imitonte shumë bukur që i vogël. Ishte shumë i këndshëm. Zefi ishte i sëmurë kohët e fundit. Unë isha në Shkodër para tri javëve për festivalin ‘Luleborë’ dhe pyeta për Zefin dhe më thanë nuk është mirë dhe më thanë mos shko në këtë gjendje. Do ta kisha pasur shumë të vështirë. Nuk kam shkuar kurrë në Shkodër pa e parë Zefin. Zefi ka kenë një djalosh që e donte teatrin”, ka thënë Mula. Sipas regjisorit, Deda nuk ka qenë në estradë, sepse ishte aktor i madh. “Zefi nuk e luajti aktorin e madh në jetën e përditshme, por ishte aktor i vërtetë në skenë. Për të folur për Zefin na duhen vite. Zefi ka studiuar klarinetë, por nuk e donte këtë. Donte të kapte 70 profesione. E shihte një person me biçikletë dhe ishte i gatshëm ta analizonte me detaje. Të gjitha këto kategori të njerëzve i sillte para shoqërisë dhe shoqëria shqiptare ia pranoi”, ka thënë ai.
Kantautori shkodran Sidrit Bejleri, ka thënë se Zef Deda ishte i të gjithë shqiptarëve. “Zefi i të qeshurave pafund, që na i dhuroi gjithë këto vite. Falemnders Zef, se na e g’zove jetën në kohë t’veshtira! Le ta kujtojmë me lutje dhe duartrokitje, siç i ka hije këtij artisti unik! Ngushëllime familjes, miqve, të gjithëve!”, ka shkruar Bejleri.
Dramaturgu nga Kosova, Naser Shatrolli, ka shkruar në rrjete sociale se Zef Deda ka krijuar epokën e tij. “Në rast se kujtohet sot e kaluara e Tij, domethënë që Zef Deda ka bërë diçka të vyeshme për të tashmen tonë! Dhe në rast se nuk harrohet puna e Tij, i bie që Deda ka krijuar epokën e tij të quajtur kulturë të humorit në skenë dhe televizion…! Ndjesë pastë Zef Deda – emblematiku i Shkodrës!”, ka shkruar Shatrolli.
Zef Deda e ndante skenën edhe me aktorë të rinj. Njëri prej tyre ishte edhe Gentian Zenelaj, koleg i të birit të Zefit, aktorit Julian Dedaj.
“Lamtumirë i madhi Zef Deda. Jam i lumtur që të kam njohur personalisht, që kam ndarë skenën me ty, të kam parë duke interpretuar, kërcyer, imituar, duke luajtur muzikë, dhe më ke magjepsur gjithmonë që kur isha fëmijë e deri sot. Të qoftë i lehtë dheu Zef Deda”, ka shkruar Zenelaj. Ngushëllime e kujtime për të kanë bërë edhe udhëheqës institucionesh.
“Një dritë që ndriçonte në kohë të errëta”
“Shqipërisë sot iu shua një buzëqeshje, një dritë që na ndriçonte në kohë të errëta! U prehsh në paqe Zef Deda!”, ka shkruar ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar “Lamtumirë i dashuri Zef!” e Radiotelevizioni i Shqipërisë ka shkruar se artisti i madh i qindra roleve u shua, “por drita e tij në humorin shqiptar do të shndritë përgjithmonë. “E kujtojmë me disa nga veprat e tij. I paharruari Zef Deda”, ka shkruar RTSH-ja.
Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë mesazh ngushëllimi. “Lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran. Lamtumirë njeriut që solli gëzim në shtëpitë e shqiptarëve edhe në momentet e vështira!”, ka shkruar Begaj në rrjetet sociale. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë se kultura shqiptare ka humbur Artistin e Merituar, Mjeshtrin e Madh, humoristin e shquar, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Zef Dedën.
“Për rreth gjysmëshekulli, personazhet që solli në skenën dhe komedinë shqiptare Zef Deda janë bërë pjesë e humorit dhe e jetës së shqiptarëve. Me krijimtarinë dhe rolet e tij Zefi është bërë një figurë emblematike dhe alter ego e personazheve të paharruara të humorit shqiptar. U prehsh në paqe, Mjeshtër!”, ka shkruar Nikolla Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shkruar se iku mjeshtri i madh i humorit, që me talentin gjenial u dhuroi buzëqeshje shqiptarëve në kohë të mira e në kohë të vështira, si ato të diktaturës. “Një humbje e madhe për artin shqiptar, për artdashësit e në veçanti për Shkodrën, shpirtin e të cilës Zef Deda e mishëronte me një stil që do të mbetet i pavdekshëm”, ka shkruar Basha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka mbajtur një minutë heshtje në konferencë për shtyp për ndarjen e aktorit të madh Zef Deda.
“Sot është një ditë zie për artin, skenën, Shkodrën dhe artdashësit e mbarë Shqipërisë, mbasi dielli perëndoi përgjithmonë për artistin e mirënjohur, e talentuar, Zef Dedën. Zef Deda ishte një artist që të gjithë dhuntinë e tij ua kushtoi në çdo kohë të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërisë”, ka thënë Berisha. Sipas tij, Deda ndahet nga jeta para kohe, “pra, duke pasur mundësi për të kapur maja të tjera në skenë dhe art”. Por, mbetet i pavdekshëm me trashëgiminë e tij të shkëlqyer që lë. Ndaj dhe unë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, komunitetit artistik dhe qytetarëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë për këtë humbje të madhe”, ka thënë Berisha.
Mjafton vetëm portreti i tij, emri po se po, që të kujtohet humori shqiptar. Ai ishte babai i komedisë, sinonim i estradës shkodrane dhe jo vetëm. Ai ishte Zef Deda.
Burimi © KOHA.net
