30.8 C
Skopje
E enjte, 20 Gusht, 2026

Babai me dy djemt në paraburgim, ndiznin zjarr në Patishka Rekë

Prokurori nga Prokuroria Themelore Shkup ka iniciuar procedurë kundër 3 personave, babait dhe dy djemve të tij, të cilët dyshohet se kanë kryer vepër penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Tre bashkautorët me qëllim të rrezikimit të përgjithshëm për jetën dhe trupin e njerëzve apo për pronë të përmasave të mëdha, kanë shkaktuar zjarr më 9 gusht duke derdhur lëng të ndezshëm në tokën pyjore pranë rrugës lokale në vendin e quajtur Dupki, afër Patishka Rekës.

Me çakmak i vunë flakë pyllit me bimësi të ulët dhe bar të thatë. Toka e djegur është në pronësi shtetërore dhe ekzistonte rreziku që zjarri të përhapej në sipërfaqe më të madhe të pyjeve me bimësi të ulët dhe të lartë, madje të përfshijë edhe pjesë të parkut nacional “Jasen”.

Në 10 vitet e fundit ka pasur vetëm një aktgjykim për shkaktim të qëllimshëm të zjarreve, në Gjykatën në Dibër ndërsa brenda 5 viteve është djegur sipërfaqe me pyll me vlerë prej 55 milionë eurove.

Ndërkohë beteja kundër zjarreve vazhdon dhe vazhdimisht ka zjarre të reja. Mbi 20 ditë po zgjatë beteja me zjarrin në Makedonski Brod.

Krahu i dytë dhe i tretë i zjarrit, siç thotë Angellov janë nën kontroll. Gjatë ditës së djeshme ka pasur 42 zjarre në të hapur prej të cilave 31 janë shuar, 5 janë vënë nën kontroll ndërsa 6 ende janë aktive.

Përveç ajrotraktorëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në shuarjen e zjarreve marrin pjesë nga dy ajrotraktorë nga Gjermania dhe Qiproja.