6.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025

Barcelona i beson ‘10’-ën Lamine Yamalit

Mosha madhore vjen edhe me përgjegjësi të mëdha për Lamine Yamal. Pak ditë pasi festoi 18 vjetorin e lindjes, talenti spanjoll mori si dhuratë nga Barcelona një trashëgimi të rëndësishme.

Bashkë me rinovimin e kontratës deri në vitin 2031 me një klauzolë 1 miliard euro të denjë për një kampion, Lamine Yamal iu dorëzua zyrtarisht fanela me numrin 10.

Është e njëjta që kanë mbajtur përpara tij kampionë të mëdhenj të historisë “blaugrana”, si Maradona, Ronaldo “fenomeni”, Ronaldinho dhe i fundit Lionel Messi.

Është ende shpejt për të hyrë në klubin e tyre, por është në rrugën e duhur dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, kjo ditë nuk do të jetë e largët. Këtë e di mirë Yamal, që do të ndjekë rrugën e tij për të fituar një vend mes legjendave të Barcelonës.

“Nuk ndiej presion, jam në klubin më të mirë në botë. Mesi ka bërë rrugën e tij, dhe tani unë do të bëj timen. Do të merrja gjithçka nga Mesi. Ai është ende aktiv, gjithçka nga Ronaldinjo dhe gjithçka nga Maradona. Shpresoj të vazhdoj trashëgiminë e tyre. Rinovimi me Barçën deri në vitin 2031 është një hap i madh, fillimi i një udhëtimi që shpresoj të jetë shumë i gjatë”.

Numri 10 që Lamine do të mbajë në shpinë duke nisur nga sezoni i ardhshëm është I merituar dhe I fituar në fushën e lojës. Këtë e tregojnë shifrat, të ekzagjeruara për një lojtar në moshën e tij. Me Barcelonën, Yamal numëron 106 ndeshje, ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 28 asist për shokët e skuadrës.

Dhe meqë jemi te numrat. Sapo fanela me emrin e Yamal me numrin 10 u vendos në dyqanet zyrtare të Barcelonës, menjëherë është shoqëruar me një rekord shitjesh.

Të ngjajshme

Të fundit