Barcelona ka avancuar në çerekfinale të Kupës së Mbretit, pas fitores ndaj skuadrës së kategorisë së tretë të futbollit spanjoll, Unionistas.
Barcelona, që në fundjavën e kaluar pësoi disfatë të thellë në finale të Superkupës së Spanjës nga Real Madridi, fitoi të enjten mbrëma me rezultatin 3:1.
Futbollistët e Barçës pësuan gol në minutën e 31-të nga mesfushori Alvaro Gomez. Megjithatë, kundërpërgjigja ishte e shpejt. Sulmuesi Ferran Torres realizoi për 1:1 në fundin e pjesës së parë. Jules Kounde në minutën e 69-të realizoi për epërsinë e “blaugranas”, ndërsa Alejandro Balde, e vendosi rezultatin përfundimtar 3:1, në minutën e 73-të. Unionistas në rrethin e kaluar të Kupës së Mbretit e eliminoi Villarrealin në penallti, kurse Barcelona fitoi 3:2 ndaj Barbastros, skuadrës së kategorisë së katërt.
Në çerekfinale të Kupës së Mbretit kanë avancuar edhe Athletic Bilbao, Sevilla, Celta Vigo, Real Sociedad, Girona dhe Mallorca.
© KOHA.