Barcelona ka finalizuar transferimin e talentit 19-vjeçar suedez, Roony Bardghji, nga FC Copenhagen. Anësori ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin katalanas, që do ta mbajë në “Camp Nou” deri më 30 qershor 2029.
Lojtari, i lindur në Kuvajt, vendosi t’i bashkohet Barcelonës pavarësisht interesimit të fortë nga Mallorca dhe Porto, duke përmbushur kështu ëndrrën e tij për të veshur fanellën blaugrana.
“FC Barcelona dhe FC Copenhagen kanë arritur një marrëveshje për transferimin e lojtarit Roony Bardghji. Anësori ka nënshkruar për katër sezonet e ardhshme,” njoftoi klubi katalanas në një deklaratë zyrtare, transmeton KosovaPress.
Edhe pse sezonin e kaluar ai u kufizua në vetëm gjashtë paraqitje për shkak të një dëmtimi serioz – këputjes së ligamentit të kryqëzuar gjatë stërvitjes – Bardghji mbetet një nga talentet më premtues në futbollin evropian.
Që nga debutimi me ekipin e parë të Copenhagen në vitin 2022, Bardghji ka zhvilluar 84 ndeshje zyrtare, duke realizuar 15 gola dhe dhënë një asist. Në Danimarkë ai ka fituar tre tituj kampioni dhe dy Kupa vendase, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e klubit.
I njohur për shpejtësinë, driblimin dhe efektivitetin para portës, Bardghji pritet të sjellë më shumë thellësi dhe rrezik nga krahu i djathtë i sulmit të Barcelonës.
Në ambientet e “Camp Nou” besojnë se kanë zbuluar një tjetër diamant që mund të shkëlqejë në vitet në vijim.
