BDI reagoi nëpërmjet një kumtese për punësimet të cilat po lënë jashtë shqiptarët në institucionet shtetërore, poashtu edhe ku aty udhëheqin shqiptarët. Më saktë ata cekën Filharmoninë e MV ku Drejtor është Mustafa Imeri. Pas kësaj kumtese të lëshuar ka reaguar menjëherë drejtori në fjalë ku tha se gjithçka që BDI ka thënë është vetëm një mashtrim dhe se ende nuk kanë filluar punësimet, informon POPULLI.mk
Kumtesa e BDI-së për punësimet në Filharmoninë e MV
Edhe aty ku drejtojnë, shqiptarët janë të padëshiruar!
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin të thellë për realizimin sistematik të një plani të përbashkët të dy partive maqedonase, të ndërmjetësuar nga oligarkia, që ka për qëllim vendosjen e shqiptarëve në margjinat e të gjitha proceseve politike, shoqërore dhe ekonomike në vend.
Rasti i fundit në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut, ku nga 18 të punësuar, në gjashtë muajt e fundit, vetëm një është shqiptar, edhe pse institucioni udhëhiqet nga një shqiptar, është dëshmi e qartë se ky plan realizohet me metoda të sofistikuara diskriminimi, madje edhe aty ku simbolikisht përfshihen shqiptarët në pozita udhëheqëse.
Kjo strategji antishqiptare po zbatohet në disa nivele:
• përmes mospërfilljes së legjitimitetit politik të shqiptarëve,
• përmes mosrespektimit të parimit të Badenterit,
• përmes shfuqizimit të balancuesit,
• dhe përmes shkeljes totale të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore dhe publike.
Shqiptarët jo vetëm që po përjashtohen nga institucionet që drejtohen nga të tjerët, por tashmë edhe nga ato që udhëhiqen prej vetë shqiptarëve! Ky model është përçmues, antikushtetues dhe i rrezikshëm për karakterin multietnik të shtetit.
BDI rithekson se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese, që nuk varet nga vullneti i individëve apo nga skemat e grupeve të interesit. Shqiptarët nuk do të heshtin dhe nuk do të dorëzohen përballë këtij plani të qartë për margjinalizim kombëtar!
Reagimi i Mustafa Imerit
Është e turpshme dhe për keqardhje mënyra se si BDI, në mungesë të argumenteve, përpiqet të mashtrojë opinionin publik me shpifje dhe rrena.
Si drejtor i Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut, e demantoj kategorikisht lajmin e rremë të përhapur nga BDI.
E vërteta është kjo: Deri më tani nuk ka asnjë punësim të realizuar. Ka pëlqime për punësim të cilat do të realizohen ditëve në vijim, e të cilat aspak nuk përputhen me gënjeshtrat e BDIsë
Këto fakte janë të dokumentuara dhe të verifikueshme për këdo që ka interes real, jo për ata që ndërtojnë narrativa të rreme për qëllime politike.
Mustafa Imeri
Drejtor i Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut
