Bashkimi Demokratik për Integrim ka publikuar sot një kontratë që, sipas kësaj partie, dëshmon mënyrën se si po menaxhohen projektet strategjike energjetike në dëm të interesit publik dhe të buxhetit të shtetit.
Sipas kumtesës, bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar nga drejtuesi Burim Latifi me kompaninë “Elnos” nga Republika Serpska, e cila ka të bëjë me ndërtimin e largpërçuesit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Nga BDI theksojnë se kjo kontratë ngre disa shqetësime serioze. Ata pretendojnë se kompania fituese ka afërsi me struktura politike në Republika Serpska, përfshirë rrethin e Milorad Dodikut, duke hapur dilema për ndikime politike në projekte të rëndësishme energjetike. Po ashtu, sipas tyre, procesi i përzgjedhjes dhe negocimit është zhvilluar në mënyrë të paqartë dhe jo transparente për publikun.
Në kumtesë thuhet se këto kontrata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej të paktën 6 milionë eurosh.
“Ky projekt, që duhej të ishte një urë bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë dhe një investim në të ardhmen euroatlantike të vendit, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia kërkon hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për kontratën dhe të gjitha procedurat përkatëse, publikimin e plotë të dokumenteve lidhur me projektin, si dhe përgjegjësi politike dhe ligjore për të gjithë të përfshirët në vendimmarrje.
Nga BDI shtojnë se qytetarët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie, duke theksuar se çdo dëm ndaj parasë publike ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.
