32.8 C
Skopje
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

BDI: Mexhiti kërkon strehë politike tek Mickoski dhe VMRO-DPMNE

Qytetarët e Çairit e dinë mirë se kush është Izet Mexhiti dhe vartësi i tij, Visar Ganiu. Ata e dinë se gjatë mandateve të tyre, komuna u bë sinonim i krimit, korrupsionit dhe kaosit të plotë. Ata e dinë se ai në vend që të jetojë në mesin e njerëzve për të cilët bën sikur kujdeset, jeton rehat në Butel ndërkaq Çairin e sheh vetëm si fushë për biznese privat dhe për pasurim të shpejtë. Kështu ka akuzuar BDI në një komunikatë drejtuar mediave, ndërsa kanë kërkuar përgjigje nga Mexhiti se sa miliona euro kanë hyrë në xhepat e tyre nga ky korrupsion me ndërtimet e paligjshme?

“Dhe se a planifikon me ato para të tenton të jep ryshfet për zgjedhjet, gjë që gjithsesi nuk do ta shpëtojë. Mexhiti në këto zgjedhje nuk lufton për Çairin dhe banorët, por për interesin e biznesit të tij privat. Nëse do të interesohej për banorët gjatë këtyre 20 viteve, do të kishte bërë diçka”, thonë në BDI.

Gjatë udhëheqjes së tij, vijon më tej reagimi, nga ndërtimet pa leje dhe legalizimet e dyshimta u vodhën në mënyrë kriminele 225 milionë euro.

“Asnjë projekt i madh infrastrukturor, asnjë zgjidhje e qëndrueshme për problemet e banorëve vetëm ndërtesa, biznese dhe marrëveshje për rrjetin e tij të njerëzve. Prandaj, Mexhiti e di që nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve dhe se i duhet me përulje ta kërkojë mbështetjen e Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. I ulur në prehrin e Mickoskit, shpreson se me propagandën e paguar të portaleve të VMRO-së do të shpëtojë nga humbja. Por Çairi nuk harron, dhe çairasit nuk do të lejojnë që me paratë e fituara nga krimi, Izeti të fshijë votën e tyre. E as me milionat e vjedhura nuk do të mund ta fshijë të vërtetën e 20 viteve të shkatërrimit të komunës nga ana e tij”.

Qytetarët e Çairit, thotë BDI, meritojnë të jetojnë në një komunë pa kaos, pa korrupsion dhe pa njerëz që e shohin komunën vetëm si bankomat për interesat personale. “Më 19 tetor, është koha për t’i dhënë fund epokës së ndërtimeve pa leje, krimit dhe shantazheve”.

Të ngjajshme

Të fundit