13.8 C
Skopje
E martë, 10 Mars, 2026

BDI: Qeveria dështoi të menaxhojë krizën e derivateve

Situata me furnizimin dhe çmimet e derivateve të naftës në vend ka nxjerrë në pah, sipas Bashkimit Demokratik për Integrim, dështimin e qeverisë për të menaxhuar një krizë që ishte paralajmëruar prej javësh. Kështu deklaroi Albanë Mustafa nga BDI-Dega e Çairit në një konferencë për media, duke theksuar se qytetarët po përballen me pasiguri dhe rritje të menjëhershme të çmimeve.

Sipas saj, nga mesnata e mbrëmshme çmimi i derivateve është rritur për 15 denarë për litër, një rritje që, siç tha ajo, përbën goditje të re për ekonomitë familjare dhe për bizneset në një kohë kur standardi jetësor tashmë është nën presion.

Mustafa theksoi se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike që ndikojnë në çmimet e energjisë nuk kanë ardhur papritur dhe se institucionet kishin kohë të mjaftueshme për të ndërmarrë masa parandaluese.

“Ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një vargu dështimesh në mënyrën se si qeveria përballet me çdo krizë, me shumë propagandë dhe pak veprime konkrete për mbrojtjen e qytetarëve”, deklaroi ajo.

Në këtë kontekst, BDI propozoi një sërë masash urgjente që, sipas tyre, duhet të ndërmerren përmes Kuvendit dhe institucioneve kompetente.

Ajo i bëri thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të rishqyrtojë vendimin për rritjen e çmimeve të derivateve, duke filluar nga dita e sotme. Po ashtu, duke iu referuar deklaratave se shteti disponon rezerva të naftës për rreth 62 ditë, BDI kërkon që këto rezerva të hidhen menjëherë në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër, duke theksuar se ato janë blerë me çmime edhe më të ulëta.

Në të njëjtën kohë, Mustafa kërkoi që qeveria të shqyrtojë mundësinë e uljes së barrës fiskale për derivatet e naftës, përfshirë akzizat dhe detyrimet e tjera, me qëllim stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Një tjetër kërkesë lidhet me veprimet e shërbimeve inspektuese, të cilat, sipas BDI-së, duhet të verifikojnë sasinë e karburantit që kanë pasur pikat e furnizimit para rritjes së çmimeve dhe për këto sasi të vendoset ngrirje e çmimeve, pasi janë importuar me çmime më të ulëta.

Gjithashtu, BDI kërkon që për operatorët që gjatë fundjavës dhe ditës së hënë nuk kanë furnizuar qytetarët me karburant të ndërmerren masa dhe sanksione në përputhje me ligjin.

“Nuk mund të lejojmë që disa të përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe të prodhuesve tanë”, theksoi Mustafa.

Nga BDI theksojnë se në një situatë të tillë kërkohet reagim i menjëhershëm dhe menaxhim serioz i krizës, duke shtuar se partia mbetet e gatshme të mbështesë çdo vendim që synon stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit. (koha.mk)

Të ngjajshme

Të fundit