2.8 C
Skopje
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

BDI shpreh shqetësim për ritualin fetar në MPB, rikujtohen raste të ngjashme nga e kaluara

Vazhdojnë reagimet për rastin e spërkatjes së automjeteve të policisë nga një prift në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. BDI nëpërmjet një komunikate shpreh shqetësim të thellë duke theksuar se reagon fuqishëm pasi riti i tillë nuk është traditë, por shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular.

“Kur hapësirat dhe mjetet shtetërore përdoren për rituale të vetëm një konfesioni, mesazhi për të tjerët është përjashtues dhe i rrezikshëm: se institucionet publike identifikohen me një religjion, duke nënvlerësuar dhe përjashtuar të tjerët. Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës”, thonë nga BDI.

Megjithatë, ritet fetare dhe bekimet nga priftërinjtë kanë ndodhur ndër vite në vend, përfshirë edhe në periudhën gjatë së cilës BDI-ja ka qenë në pushtet. Madje, në vitin 2017 ministri i BDI-së, Sadulla Duraku personalisht kishte marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Stacionit Filtrues në Koçan, e kryer me rite fetare. Siç mund të shihet, ndërsa Duraku hedh lopatën me llaç në gurthemel, priftërinjtë krahë tij stërpikin gurthemelin me ujë të bekuar.

Me para të qytetarëve është ndërtuar edhe objekti në qendër të Shkupit ku sot ndodhet Gjykata Kushtetuese. Në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit në vitin 2009, krahas kryeministrit Nikolla Gruevski dhe funksionarëve të tjerë të BDI-së që hodhën lopatat, i pranishëm ishte edhe kryepeshkopi Stefani, por dhe priftërinj të tjerë. Me ceremoni fetare, Gruevski hodhi gurthemelet edhe për disa garazhe në kate në Shkup.

Rite të ngjashme janë kryer edhe në komuna, si për shembull gjatë vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në Radishan në korrik të vitit 2015. Kjo ndodhi edhe për një sallë sportive në vitin 2016 në Komunën e Makedonska-Kamenicës.

Mes krizës së covid-it në vitin 2020, në Kavadar ndodhi rast i pazakontë ku priftërinjtë e qytetit pasi mbajtën një liturgji kundër virusit corona, hipën mbi një automjet të hapur dhe spërkatën qytetin me ujë të bekuar.

Kisha Ortodokse Maqedonase është parë vazhdimisht e lidhur ngushtë me politikën.

Në vitin 2017, Kisha Ortodokse mbështeste hapur edhe protestat kundër të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, por edhe protestat ndaj “Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.

Ndërkohë që sot, BDI-ja reagon për shkelje të sekularitetit, gjatë kohës që ishte në pushtet Kisha Ortodokse Maqedonase në vazhdimësi ishte e përkëdhelura e Qeverisë. Në 10 vitet e fundit, siç mund t’i shihni dhe pjesët nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Bashkësia Fetare Islame, por edhe grupe të tjera religjioze ngrinin alarmin para Shteteve të Bashkuara se Qeveria e favorizonte Kishën Ortodokse, duke treguar jo vetëm përdorimin e fesë por edhe atë të mosbalancimit në trajtim mes tyre./ Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit