BDI ende nuk ka ndonjë qëndrim formal për datën e zgjedhjeve, për shkak se siç sqaroi zëdhënësi dhe nënkryetari i integristëve Bujar Osmani, ende nuk ka pasur ndonjë mbledhje të trupave partiakë, por shton se kjo temë po flitet mes anëtarëve. Asnjërin opsion nuk e kanë problem.
“Ka një mendim dominues se nga aspekti logjistik-financiar si dhe atë administrativ, ndoshta do të ishte shumë e rëndë për shtetin dy cikle zgjedhore në tre muaj. Se do të paralizohen institucionet, se do të jetë harxhim i tepërt, megjithatë nga ky aspekt ka mendim se ndoshta në të njëjtën ditë duhet të jenë si zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, por jemi të hapur për të gjitha opsionet, vendim nuk ka, do të përpiqemi të argumentohemi me partitë politike”, theksoi Bujar Osmani, zëdhënës/nënkryetar BDI.
I pyetur rreth kësaj, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se mbajtja e zgjedhjeve në një ditë është hap logjik dhe se partia e tij është e gatshme për bisedime dhe marrëveshje për datën e zgjedhjeve në çfarëdolloj formati që partitë e pushtetit do të dakordësohen.
“Zgjedhjet e përbashkëta e rrisin mundësinë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, të mos ketë përsëritje dhe të mos futemi në krizë kushtetuese dhe ligjore. E tani, unë e inkurajoj udhëheqësinë e LSDM-së, Zeqeviçin dhe Kovaçevskin, që të tejkalojnë vetveten dhe një herë të qëndrojnë në interes të qytetarëve, të merremi vesh për datën”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Për dallim nga VMRO-DPMNE që insiston për zgjedhje të përbashkëta dhe BDI-në që është e hapur për të gjitha opsionet, LSDM-ja nga ana tjetër këmbëngulë që zgjedhjet të mbahen në data të ndryshme.
Në fundjavë, zëdhënësi dhe deputeti socialdemokrat Darko Kaevski tha se qëndrimi i tyre për datën e zgjedhjeve është parimor, që në fillim ne thamë se së pari do të mbahen zgjedhjet presidenciale ndërsa pastaj në afatin e rregullt ligjor do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
