11.8 C
Skopje
E martë, 24 Shkurt, 2026

BE planifikon rol udhëheqës në ndërtimin e një force të re policore në Gaza

Bashkimi Evropian po përgatitet të zgjerojë ndjeshëm misionet e tij policore dhe të sigurisë kufitare në Gaza, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur planin e paqes të SHBA-së.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të bien dakord sot në Bruksel për propozimet për një rol të zgjeruar të BE-së dhe, nëse është e nevojshme, për përshtatje të mandateve të misioneve ekzistuese.

Sipas planit, BE mund të përdorë misionin e saj policor, “Eupol Copps” me qendër në Bregun Perëndimor, për të marrë drejtimin në ndërtimin e një force të re policore për Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta dhe për të trajnuar rreth 3 000 oficerë sigurie palestinezë në afat të mesëm.

Në afat të gjatë, qëllimi është të trajnohet i gjithë personeli prej 13,000 oficerësh.

Në afat të shkurtër, “Eupol Copps” do të ndihmojë në rindërtimin e strukturave gjyqësore dhe të sigurisë në Gaza dhe do të organizojë programe trajnimi për instruktorët e policisë palestinezë në një akademi policie në Jeriko, të bashkëfinancuar nga Gjermania.

Deri më tani, policia civile e Gazës ka vepruar nën kontrollin e grupit militant palestinez Hamas, i cili zhvilloi një luftë 2-vjeçare me Izraelin.

Forca e re pritet të bashkëpunojë ngushtë me misionin e planifikuar ndërkombëtar të stabilizimit të miratuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në fillim të kësaj jave.

Ministrat e BE-së në Bruksel po diskutojnë gjithashtu një zgjerim të misionit të monitorimit të kufijve të bllokut për Gazën.

BE-ja, në të ardhmen mund të ndihmojë me përpunimin e mallrave, jo vetëm në pikën e kalimit të Rafahut, por edhe në pika të tilla si Kerem Shalom.

Të ngjajshme

Të fundit