Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se nuk do të ndalet në betejën e tij, kur u pyet si e komenton reagimin e SPAK për të ankimuar vendimin e lirimit të tij.
Kreu demokrat foli për faktin se SPAK njoftoi se kishte kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak dhe shtoi se do të apelojë vendimin e sotëm.
Berisha u shpreh “të bëjnë çfarë të duan, Sali Berishën nuk e ndalon asgjë në këtë betejë”.
“E kam thënë se drejtësia kontrollohet nga Edi Rama, u pa me Gjykatën Kushtetuese. Që në momentin kur GJK thotë se dënimi nuk është proporcional, dënimi është antikushtetues. Nuk mund të them se… E kam thënë se vlerësoj çdo akt gjykatësish që përputhet me ligjin. Të bëjnë çfarë të duan, Sali Berishën nuk ka asgjë që e ndalon në këtë betejë”, tha Berisha.
Në daljen për mediat, Berisha kishte edhe një mesazh për Edi Ramën, kur tha se arriti t’ia kthejë në portë ferri atë dritare:
“Kur je në betejë, je në betejë. Sigurisht beteja në shtëpi është më e vështirë, por arrita që t’ia kthej në portë ferri atë dritare, siç e dini ju.
Ai në çdo fjalim, dritaren e kishte ferr. Këtë e arrita unë. Unë kisha qëllim komunikimin me qytetarët, por kjo e tmerronte atë. Kurse tani, në shesh betejë do t’i provoj.”