Kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda në një intervistë për Alsat ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për partitë politike shqiptare në vend dhe se ai paralajmëron formimin e një partie të re politike.
Ai ka kritikuar ashpër përçarjen e partive shqiptare, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të rrijë duarkryq duke e lënë të hapur mundësinë për formimin e një partie të re politike.
“Unë mendoj që shoqëria e ka kuptuar që ka një nënçmim real të përfaqësimit. Njerëzit të cilët bashkë metastazojnë sa herë që ka nevojë njëri-tjetrin duke ndërruar kampet politike, e kanë kuptuar këtë mentalitet dhe unë po bëj një apel publik, që njerëzit të fillojnë të ndërgjegjësohen dhe të gjejnë një alternativë tjetër, në mungesë të një alternative nëse nuk do të kemi një bashkim të forcave politike”, ka shkruar Hoda.
Alsat: A do të thotë kjo se paralajmëroni lëvizje, parti…
“Absolutisht që po. Ne nuk mund të jemi sehirxhi në ndërtimin e fateve të fëmijëve tanë, në shkeljen mbi gjakun e shokëve tanë, në shkeljen mbi monumentet që vetë i kanë ndërtuar. Definitivisht shqiptarët në Maqedoni duhet të ndërrojnë mentalitet në veprimet politike, duke ndërtuar institucone të qëndrueshme dhe jo institucione që përfaqësojnë individ të caktuar”, tha Hoda në Alsat.