Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj rolit të shqiptarëve në Qeverinë aktuale, duke e cilësuar atë si një pushtet që i trajton shqiptarët si numra dhe jo si vendimmarrës, informon POPULLI.mk
Në një deklaratë të fortë, Bexheti theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë të votojnë, por jo të vendosin për çështje kyçe dhe për të ardhmen e tyre. Ai e akuzoi ekzekutivin aktual se nuk është një qeveri multietnike, por një qeveri ku shqiptarët janë thjesht një fasadë që mbulon realitetin e hidhur të një pushteti që, sipas tij, luhet në tryeza të fshehta gjatë mesnatës.
“Dhe ja ku kemi spektaklin më të ri politik: takime të fshehta, marrëveshje në errësirë, pazare mesnate mes liderëve politikë maqedonas, ku shqiptarët janë thjesht një detaj i parëndësishëm – ose, më saktë, as edhe një detaj! Dje u injoruan, sot u përçmuan hapur! Po çfarë thonë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri? ASGJË! Heshtin si të jenë pajtuar me fatin e nënshtrimit, heshtin sikur t’u ketë ‘ikur zani’”, deklaroi Bexheti.
Sipas tij, përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri nuk kanë peshë dhe dinjitet dhe janë kthyer në spektatorë pa të drejtë zëri, duke i dhënë legjitimitet një pushteti që nuk i trajton shqiptarët si të barabartë. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është pronë private e politikanëve maqedonas, por një shtet që duhet të funksionojë mbi bazën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës.
“Shqiptarët nuk janë as dekor, as numra, as shërbëtorë të pushtetit të dikujt tjetër. Mjaft me heshtjen servile! Mjaft me turpin e nënshtrimit politik! Nëse dikush nuk ka kurajë as guxim të përfaqësojë interesat shqiptare, le të shkojë atje ku e ka vendin – në shtëpi!”, përfundoi Bexheti.
Ky reagim vjen në një moment kur debati për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore është bërë edhe më i ashpër, sidomos pas takimeve politike mes liderëve maqedonas, ku shqiptarët nuk kanë pasur rol vendimmarrës. / © POPULLI.mk




