-1.2 C
Skopje
E hënë, 23 Shkurt, 2026

Blerant Ramadani tërhiqet nga posti i Sekretarit Gjeneral të Aleancës për Shqiptarët

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka njoftuar sot tërheqjen e tij nga kjo pozitë dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake, informon POPULLI.mk

Përmes një deklarate publike drejtuar anëtarëve të partisë dhe opinionit, Ramadani e ka cilësuar vendimin si rezultat të një reflektimi të thellë profesional dhe personal mbi mënyrën se si mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë.

Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të kryesisë ka votuar kundër dorëheqjes kolektive, duke argumentuar se kjo nuk ka qenë shenjë mospajtimi, por bindje parimore.

“Si inxhinier besoj te strukturat që ndërtohen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të nisur nga e para. Unë besoj te stabiliteti”, thekson Ramadani.

Megjithatë, ai shton se respekton vendimin e shumicës dhe ka zgjedhur të largohet me dinjitet, duke mbetur konsekuent në qëndrimet e tij.

Ramadani njofton se në vazhdim do të përqendrojë energjitë e tij në fushën e shkencës dhe zhvillimit strategjik, duke e konsideruar këtë si një formë tjetër shërbimi ndaj vendit.

Në mesazhin e tij, ai ka pasur një falënderim të veçantë për qytetarët e Sarajit, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si “fitoren e tij më të madhe morale”.

“Nuk po largohem nga idealet, por po ripozicionohem. Unë nuk heq dorë nga vizioni për një shoqëri të drejtë”, përfundon Ramadani. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit